Kuvend/ Deputetët e PS mbështesin njëzëri projektin e Veliajt me KfW gjermane për transportin e gjelbër në Tiranë

09/05/2024 18:05

Deputetët socialistë kanë shprehur sot njëzëri mbështetjen për lidhjen e marrëveshjes mes Bashkisë së Tiranës dhe bankës gjermane KfW për transformimin e transportit publik në kryeqytet.

Emra të vjetër dhe të rëndësishëm në PS, si Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko Etilda Gjonaj, Toni Gogu, Ilda Ferhati, Erion Braçe etj., ishin disa prej deputetëve, të cilët mbështetën projektin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe theksuan domosdoshmërinë për të çuar përpara këtë projekt, që reformon shërbimin e transportit për qytetarët.

Ata theksuan se përveç rritjes së shpejtësisë dhe efikasitetit të transportit publik, projekti do të promovojë përdorimin e mënyrave të transportit të qëndrueshëm dhe redukton ndotjen e ajrit, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytet. Objektivi është ndërtimi i sistemit të transportit me kapacitet të lartë BRT, në tri korridoret e transportit qytetës të Bashkisë Tiranë: a) Tirana e Re; b) Unaza; c) Kombinat – Kinostudio.

Blendi Klosi: Në qoftë se në Shqipëri vijnë 10 mln turistë në 2023, projekti jonë është të shkojë në 30 mln në 2030. Ku do lëvizin këta njerëz, nëse nuk kemi investime në infrastrukturë? Ju (opozita) nuk ndaheni dot nga ballkoni, sado që BE dhe SHBA e shpall ‘non grata’ (Berishën) ju vazhdoni me të njëjtën politikë. Kështu bëni çdo ditë për çdo vepër publike sepse nuk ndaheni dot nga ballkoni i “non gratës”.

Taulant Balla: Nëse do ishe në opozitë dhe mendon se në 2025 do vish në pushtet, do thuash do ta votoj këtë marrëveshje se vitin tjetër fillon të zbatohet dhe unë do jem në qeveri. Por, ju e dini se nuk keni shans dhe për turpin tuaj keni deklaruar se do ta votoni kundër sepse jeni kundër përmirësimit të transportit urban në Tiranë, kundër përmirësimit të linjës që lidh Kombinatin me Kinostudion, Unazën e Tiranës me Tiranën e Re, pjesë e këtij projekti me autobusë tërësisht miqësorë me mjedisin që nuk përdorin lëndë djegëse fosile. Të them të drejtën nuk di si do i përgjigjeni një qytetari që thotë: Moj zonjë, unë do udhëtoj me autobus, se ti vjen me Benz. Unë në përgjithësi në Tiranë lëviz në këmbë. Ti me shokët e tu, edhe kur shkoni në protestë tek Bashkia, shkoni me makinë.

Fatmir Xhafaj: Unë besoj te Bashkia e Tiranës, te Kryetari i saj, te ekipi drejtues i bashkisë, dhe mbi të gjitha te specialistët dhe punonjësit e saj, falë të cilëve kjo Tiranë është shumë më e mirë dhe më e zhvilluar seç ishte para disa vitesh. Ky është fakt! Tirana sot s’ka të krahasuar me Tiranën e drejtuar prej jush (opozitës).

Petro Koçi: Kryeqyteti ka nevojë për një epokë të re në transportin publik! Mbështesni një projekt ku përfituese është Tirana e qytetari dhe jo bashkia. Ejani, bashkohuni me projektin e Shqipërisë 2030. Boll sulmuat Tiranën me urdhër të tiranit. Boll sulmuat SPAK me urdhër të ‘shplakut’. Hiqni dorë nga molotovizmi. E mbështes fort asistencën gjermane dhe të BE në këtë projekt, ku përfituesi është qytetari i thjeshtë.

Etilda Gjonaj: Dua të falenderoj qeverinë shqiptare, por njëkohësisht edhe të përgëzoj kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, që ndërsa një grusht njerëzish godasin bashkinë me molotov, për të zgjidhur hallin e tyre personal, halli i vetëm i tij janë banorët e kryeqytetit, dhe për ta shndërruar Tiranën si një kryeqytet pa asnjë dallim me kryeqytetet e tjera të Europës.

Pandeli Majko: Këtu jemi mbledhur për të diskutuar një marrëveshje me KfW. Duhet kujtuar se bëhet fjalë për një marrëveshje me qeverinë gjermane. Duke hedhur dyshime, ju duhet të rigjykoni qëndrimin. Këtu flitet për një marrëveshje me KfW dhe ju diskutoni nga konflikti në Ukrainë dhe Gaza. Bëhet fjalë për një marrëveshje nga fondet e BE, me qëllim që të jemi të qartë që bëhet fjalë për rritjen e cilësisë së jetesës në Tiranë.

Toni Gogu: Ky nuk është një model eksperimental, por një model i transportit publik i provuar dhe që e gjejmë në qytetet më të zhvilluara të Europës. Marrëveshja me KfW mundëson Transportin e Gjelbër të Tiranës, mënyra më efektive për të zëvendësuar përdorimin e makinës, duke rritur përdorimin e transportit publik, reduktim të trafikut, më pak ndotje.

Eduart Shalsi: Njerëzit nuk dallohen nga fjalët vetëm, por dallohen nga veprat, nga gjurmët që lënë. Tirana ka qenë me fat që për këto vite ka pasur edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e Bashkisë në një linjë. Tirana sot ka numrin më të lartë të vizitorëve për vitin 2023 në të gjithë Europën. Si ndodhi kjo, rastësisht?

Etjen Xhafaj: Është projekt zhvillimor, është vlerësim që Evropa i bën Tiranës në Ditën e Evropës, që kalojnë sot 32 mln euro për të siguruar qarkullim me autobusë elektrikë. Ekonomia, popullsia, turistët, lëvizin të gjithë në Tiranë sepse realiteti i zhvillimit të këtij qyteti ka ndryshuar rrënjësisht. E prekim me dorë dhe e shohim. Jemi sot duke jetuar në atë që është motori i zhvillimit ekonomik të të gjithë vendit.

Plarent Ndreca: Ky program mundëson zgjerimin e rrjetit të transportit publik dhe rritjen e efektivitetit ekonomik në favor të transportit. Synohet rritja e kërkesës për linjat e transportit publik, me impakt pozitiv të drejtpërdrejtë në mjedis. Fakti që BE akordon grantin për të kontribuar në këtë projekt është tregues i besueshmërisë  ndaj Bashkisë së Tiranës.

Lista

Blendi Klosi

Taulant Balla

Fatmir Xhafaj

Pandeli Majko

Toni Gogu

Etilda Gjonaj

Eduart Shalsi

Plarent Ndreca

Xhemal Qefalia

Blerina Gjylameti

Klotilda Bushka

Etjen Xhafaj

Top Channel