Mitsotakis presion Shqipërisë! Një javë pas takimit të Ramës në Athinë, kryeministri grek: Europa juaj varet nga ne

19/05/2024 17:08
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka dhënë një intervistë për gazetën Macedonia tis Kyriakis” ku mes të tjerash, ka folur edhe për zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet me vendet fqinj si Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.

Një javë pas takimit të Edi Ramës në Athinë me diasporën ka reaguar vetë kryeministri, Kyriakos Micotakis, duke i bërë presion hapur Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Kjo është deklarata e tretë e politikës greke në harkun e shtatë ditëve, sepse fillimisht reagoi nipi i Micotakis, Kosta Bakojanis, më pas motra e shefit të qeverisë greke, Dora Bakojanis, dhe në fund vetë Micotakis. Diskursi mbetet i njëjtë: Rruga europiane e Shqipërisë varet Greqia.

“Vizita e Edi Ramës këtu ishte private, ashtu si fjalimet përkatëse parazgjedhore që ai ka planifikuar tashmë në vende të tjera, në funksion të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria nuk kishte arsye ta ndalonte. Thjesht sepse Republika Helenike nuk ka pse të frikësohet nga një ngjarje e tillë. Çështjet në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe euroshqiptare sigurisht që mbeten. Dhe kryeministri i Shqipërisë nuk mund të anashkalojë kushtet për anëtarësimin e vendit të tij në BE”, tha kryeministri grek.

Kyriakos Micotakis, enkas nuk heq dorë as nga një huq i vjetër: komenti mbi vendimet e gjykatave të një vendi anëtar të Natos. E bën këtë duke përmendur sërish Fredi Belerin, në përpjekje të përsëritur për ta cilësuar dënimin e tij për korrupsion zgjedhor, në një çështje që sipas tij ka përmasa europiane.

“Do të jem i qartë: me paraburgimin e paligjshëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, Shqipëria shkel vlerën e shtetit ligjor, duke shfuqizuar të drejtën e tij për t’u gjykuar, që është edhe baza e prezumimit të pafajësisë. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por kryesisht një çështje evropiane. Dhe duke qenë se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, ajo kalon në mënyrë të pashmangshme nga vendi ynë”, u shpreh Kyriakos Micotakis.

Micotakis ndërkaq i ka bërë thirrje edhe Maqedonisë që të respektojë marrëveshjen e Prespës dhe të përdorë emrin kushtetues, duke nënkuptuar se krerët e shtetit duhet të mos anashkalojnë emrin “Maqedoni e Veriut”.

Top Channel