Sherr masiv në Fier, policia parandalon përshkallëzimin e konfliktit, arrestohet 25-vjeçari me kallashnikov

07/05/2024 15:39

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konflikti të çastit mes disa shtetasve.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Levan, Fier, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Levan.

Ky shtetas është konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasin P. O., 35 vjeç dhe me disa shtetas të tjerë. Më pas, 25-vjeçari ka marrë në banesën e tij, një armë zjarri kallashnikov me të cilën ka qëlluar për të kanosur 35-vjeçarin.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA