Kërkohej nga Italia për tentativë vrasjeje dhe plagosje, arrestohet në Ndroq 33-vjeçari, nisin procedurat e ekstradimit
SPAK ka nisur verifikimet pas kallëzimit të njerëzve të drejtësisë për pagat.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton, duke iu referuar burimeve jozyrtare, se pas administrimit të denoncimit, ku kërkohen një sërë veprimesh hetimore, çështja është regjistruar dhe po verifikohet.
Kallëzimi lidhet me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Sipas rrethanave të përshkruara në dokument, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur më 17 shkurt 2026 shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke konstatuar se ato kishin sjellë një ulje “të fshehtë” të pagës së magjistratëve. Gjykata i kishte dhënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore të nevojshme, afat që Kuvendi nuk e respektoi.
Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor urdhëruan zbatimin e pagës referuese bazë sipas parametrave të VKM-së nr. 325/2023, me efekt nga 1 gushti 2026. Sipas kallëzimit, degët e Thesarit në pothuajse të gjithë vendin, me përjashtim të Kukësit dhe Dibrës, refuzuan të zbatonin urdhërpagesat me formulën e re, bazuar në një mesazh elektronik të përcjellë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave.
Ministri Malaj, në një shkresë të datës 2 shtator drejtuar të dy këshillave, e arsyetoi bllokimin me nevojën për verifikime mbi bazën ligjore të listëpagesave dhe premtoi pagesë të shpejtë pas miratimit të ndryshimeve nga Kuvendi. Kallëzuesit e kundërshtojnë këtë arsyetim, duke argumentuar se as Ministria e Financave, as Thesari nuk kanë kompetencë ligjore të bllokojnë në mënyrë të njëanshme ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, edhe kur ka mospajtime administrative, dhe se rruga e vetme ligjore për shtetin do të ishte padia në gjykatë.
Në kallëzim kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore, ndër to administrimi i dokumentacionit të lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të KLGJ-së dhe të KLP-së, i korrespondencës mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit, i gjurmëve elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit, si dhe verifikimi nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme.
Top Channel