Tentoi të vidhte një argjendari në Shkodër nën kërcënimin e armës, kapet në Spanjë 35-vjeçari. Pritet ekstradimi 

03/05/2024 10:54

Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim është kapur në Spanjë, pasi ka tentuar të vjedhje një argjendari në Shkodër, nën kërcënimin e armës.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2012, ku E. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, në lagjen “Fahri Ramadani kanë tentuar të vjedhin argjendarinë duke përdorur armë zjarri. Si pasojë ka mbetur i plagosur vëllai i pronarit të argjendarisë.

“Si rezultat i shkëmbimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, të informacioneve të siguruara nga strukturat e DVP Shkodër, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është finalizuar operacioni i përbashkët i koduar “Capital”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi”, thuhet në njoftimin e policisë.

35-vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas rifillimit të hetimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Bazuar në këto hetime, në muajin shkurt 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar shtetasit E. H., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. H., në Shqipëri.

Top Channel