Inspektoratet pa drejtim politik/ Shkëlqim Hajdari shpjegon reformën: Inspektimet online, herën e parë këshillim, jo gjobë

17/05/2024 19:42

Pas kontributit në reformën e Drejtësisë si kryetar i shoqatës së prokurorëve, ajo për inspektoratet do të jetë edhe më e rëndësishme për Shkëlqim Hajdarin, në krye të inspektoratit qendror.

“Siç ishin zyrat e prokurorisë nepotiste, klienteliste, të centralizura, ashtu gjetëm edhe trupat e inspektoriateve, ku kryeinspektorët ishin si drejtuesit e prokurorive, pra pavarësisht se në sipërfaqe trupat e inspektimit ishin të pavarura ata çdo lloj vendimi të marrë ndaj bizneseve e kishin të koordinuar me kryeinspektorin”-shprehet Shkëlqim Hajdari, Kryeinspektor i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror.

Që në 2019 inspektorati qendror ka nisur një reformë të re ku të gjithë inspektorët janë të monitoruar online në takimin e tyre me biznesin. Draftligji i ri garanton më tej statusin dhe karrierën e inspektorëve

“Me këtë draft ligj ne rregullojmë sistemin e rekrutimit, karrierës dhe nxjerrjes jashtë konflikti të interesave të atyre që e vënë gjobën pranë bizneseve me atë që do ta shqyrtojnë këtë gjobë. E vetmja gjë që i është hequr drejtimit politik është se inspektorët nuk do emërohen as nga ministrat, as nga inspektoriati përgjithshëm, por do të emërohen në bazë të moduleve të karrierës, ku për çdo vend pune që do të hapet do të ketë specifikime konkrete vjetërsie dhe kualifikimi profesional.”

Një nga risitë më të mëdha të ligjit është këshillimi i biznesit në takimin e parë dhe mosvendosja e gjobës. Draft ligji i ri do parashikon edhe një tjetër risi ku të paktën një përfaqësues nga bota e biznesit do të jetë pjesë e Bordit të ankimimit të gjobës.

 “Drejtuesit nuk ka më atë fuqi që ta orientojë në telefon trupën e inspektimit, vëri gjobë këtij apo atij. Trupa e inspektimit është e përgjegjshme si për gjobën e ligjshme dhe të paligjshme, tërësisht e kontrolluar nga ne, por edhe nga kryeinspektori qendror, inspektoriati përgjithshëm, por edhe nga ministri. Tani kjo historia që unë rrogën e kam të vogël, por të tjerat i rregulloj rrugës nuk do të ndodhë më, sepse rrogën do ta ketë të mirë dhe karrierën e garantuar. Do t’i shërbejë edhe kënaqësive të veta si inspektor dhe me lekët që merr nga puna e ndershme do të mbajë familjen siç e mbajnë njerëz të tjerë të ndershëm në administratën publike.”

Qeveria shqiptare gjithashtu ka miratuar edhe ndërtimin e një godine multifunksionale në ambientet ku aktualisht ndodhet Inspektorati Qëndro. Këto zyra moderne do t’i japin të gjitha mjetet e duhura në dorë inspektorëve për të marrë vendimet e duhura në inspektimet pranë biznesit.

Top Channel