Dosja 5D/ Apeli Posaçëm rrëzon kërkesën e ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi masat e GJKKO-së

03/05/2024 14:47

Apeli Posaçëm vendosi të rrëzojë kërkesën e ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës për zëvendësim të masave dhe la në fuqi masat e Gjykatës së Posaçme.

Apeli rrëzoi kërkesën e Taulant Tushes, Mariglen Qatos, Redi Mollës, Eglantina Zeres dhe Julian Zanajt.

Sipas njoftimit, “Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 05.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 18 akti, datë 29.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim R.M., M.Q., T.T., J.Z. dhe E.Z., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 28, datë 28.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M. Miratimin e vendimit nr. 35, datë 30.03.2024 të të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.

Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.

Kujtojmë se tetë ish-drejtorë dhe funksionarë të Bashkisë së Tiranës, të hetuar për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera, dolën sot para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë më 30 mars të këtij viti.

Gjykata pranoi kërkesën e SPAK, duke lënë tre prej tyre në masën arrest me burg dhe për pesë të tjerë detyrim paraqitje. Hetimi ndaj tyre nisi kryesisht nga SPAK, dhe më pas u bashkua me kallëzimin që kreu Belind Këlliçi në maj të vitit të kaluar për shkelje të barazisë në tendera.

Hetimi zbuloi se ish-drejtorët, ai i Ujësjellësit, Redi Molla dhe i IKMT-së Mariglen Qato në harkun kohor të viteve 2016-2020 kishin favorizuar në së paku nëntë procedura tenderimi kompaninë “5D Construction”, e cila rezulton dhe me dy emra të tjerë.

Sipas SPAK, kjo kompani është e regjistruar në emra të tjerë, lidhje miqësore dhe shoqërore e të dyshuarve por që në të vërtetë pronarë të saj janë Qato dhe Molla.

Top Channel