DETAJE/ Ish-ministri dhunon për vdekje gruan e tij! Video tregon rrahjen më monstruoze dhe të pashpirt që mund të keni parë

01/05/2024 09:32

Momentet e dhunës që një ish-ministër nga Kazakistani ka ushtruar ndaj gruas së tij, e cila vdiq nga lëndimet, janë bërë publike.

Pamjet tronditëse tregojnë 31-vjeçaren Saltanat Nukenova duke u rrahur brutalisht nga 43-vjeçari Kyaduk Bishibayev , i cili shërbeu si ministër i Financave i vendit nga maji 2016 deri në fund të të njëjtit vit.

Sipas Daily Mail, gjyqi i Bishibayev është gjyqi i parë i vrasjes në vend që transmetohet në internet, pasi vdekja tragjike e 31-vjeçares shkaktoi një reagim zinxhir në ish-republikën sovjetike, me mijëra njerëz që nënshkruan peticionet për të ashpërsuar dhunën në familje.

Ish-ministri Bishibayev, i cili përballet me 20 vjet burg, fillimisht deklaroi në gjykatë se gruaja e tij vdiq nga plagët e vetëshkaktuara më 9 nëntor të vitit të kaluar. Por pamjet e kapura nga një kamera sigurie në një restorant, përgënjeshtrojnë deklaratën e tij, ku shihet duke e goditur pa mëshirë me grushte dhe shkelma dy orë para se gruaja e tij të vdiste.

Të mërkurën e kaluar, Bishibayev më në fund pranoi në gjykatë se kishte abuzuar me të, por nuk kishte ndërmend ta vriste. Në deklaratën e tij fillestare ai ka deklaruar se 31-vjeçarja ka goditur aksidentalisht kokën në mur në tualetin e lokalit, gjatë një debati mes tyre.

Në një nga videot e paraqitura në Gjykatën e Lartë të vendit, çifti shihet duke u grindur jashtë restorantit BAU në qytetin e Astanës.

Bishibayev shihet duke goditur gruan e tij, duke e tërhequr për flokshë në tokë dhe më pas duke e goditur me shkelma 4 herë. Ndërsa ajo përpiqet të ngrihet, ai e kap atë për qafe dhe e godet fort në nofull, duke e bërë gruan të pengohet rreth e qark e trullosur. Më pas e godet sërish dhe e tërheq për flokë jashtë rrezes së kamerës. Në videon e dytë, nga ambienti i pritjes së restorantit, shihet se ish-ministri vazhdon të rrahë brutalisht gruan e tij, para se ta tërhiqte zvarrë në një dhomë.

Në një moment gruaja u përpoq të mbrohej duke vrapuar në tualet, por Bishibayev theu derën, e nxori jashtë dhe vazhdoi ta rrihte. “Më pas e ka kapur nga qafa dhe e ka shtrënguar duke e bërë të humbasë ndjenjat”, sipas prokurorit në gjykim.

Saltanat Nukenova, e cila punonte si astrologe, u gjet e vdekur të nesërmen në mëngjes në një nga dhomat VIP të restorantit.  Mjekja ligjore që ekzaminoi trupin e saj tha se shkak i vdekjes së saj ishin bërë lëndimet në kokë.
Pasi vrau gruan e tij, Bishibayev thuhet se u ul i qetë për të shijuar vaktin e tij, në vend që të thërriste një ambulancë. Ish-ministri tha në gjykatë se e vetmja telefonatë që ka bërë ka qenë me një mikun e tij psikik. Mediat vendase raportuan se Nukenova kishte tentuar disa herë të largohej nga bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se e abuzonte sistematikisht.

Gjyqi i Bishibayev ka tërhequr vëmendjen e kombit kazak, pasi shumë qytetarë e shohin Bishibayev si një simbol të elitës së korruptuar të vendit dhe shqetësohen se, pavarësisht provave dërrmuese kundër tij, ai mund të shpëtojë me një dënim relativisht të lehtë. Politikani u arrestua në janar 2017 me akuzën e ryshfetit dhe u dënua me dhjetë vjet burg, por tre vjet më vonë u lirua me vendim amnistie.

Top Channel