Debutoi me fitore te Shqipëria U17, Shkëmbi: Test pozitiv, po punojmë për Euro 2025

24/04/2024 14:33

Shqipëria U17 triumfoi 2-1 me përmbysje në ndeshjen miqësore ndaj Sllovenisë U17.

Një debutim me fitore në stolin e Kombëtares U17 për trajnerin Bledi Shkëmbi. I cili në një prononcim për fshf.org tha se miqësorja ndaj sllovenëve ishte një test pozitiv.

Kënaqësi, ishte ndeshja e parë. Një test pozitiv, pavarësisht se fitorja të jep gjithmonë kënaqësi. Por jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë.

Patjetër që ndeshja pati gjëra pozitive, por gjithashtu edhe probleme që ne duhet t’i rregullojmë me patjetër”, tha fillimisht tekniku korçar.

Shkëmbi shtoi se fokusi kryesor i FSHF-së është te përgatitja sa më e mirë e Kombëtares U17. Pasi në vitin 2025 do të marrë pjesë në finalet e Euro U17, që do të zhvillohen në vendin tonë nën organizimin e FSHF-së.

Jemi duke punuar shumë për ekipin Kombëtar U17, duke marrë parasysh që është një event shumë i madh, për mua si trajner por edhe për futbollistët.

Ku do të marrim pjesë në vitin 2025 në Europian. Po mundohemi që të bëjmë një përzgjedhje të mirë, për të qenë sa më dinjitozë.

Të gjitha këto ndeshje, kjo që u luajt dhe të tjerat që do të vijnë më pas, patjetër që do të jenë në funksion të përgatitjes të skuadrës pikërisht për këtë event”.

Më tej, trajneri i Shqipërisë U17 shtoi se po punohet sa më shumë në zbulimin e talenteve të rinj, për një përzgjedhje sa më të mirë të lojtarëve në të ardhmen.

Po vazhdojmë me projektin ‘Step by Step’. Unë mendoj që është diçka pozitive. Tashmë po e shikojmë dhe po e ndjejmë që futbollistët që ne i thërrasim për t’i ndjekur nga afër.

Për t’i stërvitur nga afër është diçka më ndryshe. Dallohet përmirësimi, njohja sa më e mirë e imja si trajner, por edhe e stafit tim me futbollistët.

Ne jemi në kërkim dhe në vëzhgim të lojtarëve të tjerë. Kemi shumë emra që ne po i ndjekim dhe jam i bindur që do t’i përzgjedhim me sukses”, përfundoi Bledi Shkëmbi. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA