E kryer/ Interi plotëson dëshirat e Lautaros, detajet e rinovimit

19/04/2024 13:57

Interi dhe Lautaro Martinez janë gati të zyrtarizojnë rinovimin e kontratës.

Pas javësh të tëra bisedimesh dhe garancish nga drejtuesit zikaltër, tani pritet që lajmërimi zyrtar të vijë pas sigurimit matematik të titullit.

Siç shkruan shtypi sportiv italian, nga Kina ka ardhur dhe miratimi i presidentit Steven Zhang për operacionin që shkon përtej kufizimeve normale të pagave. Dhe që meriton vëmendje të veçantë për shifrat e rëndësishme që janë në lojë, por edhe diskutimin për shëndetin ekonomik të klubit.

Lautaro do të fitojë rreth 9 milionë euro në vit, përfshirë dhe bonuset, nga kontrata e re deri në 2029. Marrëveshja zgjat bashkëpunimin me tri vite, duke qenë se kontrata aktuale përfundon në 2026.

Dhe natyrisht që sjell edhe një rritje të ndjeshme të pagës. Në krahasim me 6 milionë eurot që sulmuesi përfiton për momentin. Një certifikim dhe në aspektin ekonomik i rolit të rëndësishëm që ka kampioni i botës tek Interi: goleador, kapiten dhe pikë referimi për të ardhmen.

Palët kanë gjetur plotësisht gjuhën e përbashkët dhe zyrtarizimi do të vijë pas sigurimit të titullit dhe yllit të dytë në fanellë. Një siguri matematike që mund të vijë që të hënën mbrëma, në derbin kundër Milanit.

Me një fitore zikaltërit e Inzaghit do e çonin diferencën në 17 pikë me kuqezinjtë, duke e bërë të pamundur një rikuperim të skuadrës së Piolit. Me Interin gati të nisë festën për titullin e 20-të në histori. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA