Fiks Fare/ Gjyqtarja del kundër ekspertëve, vendos me bindje të brendshme. Vendim që zbardhet jashtë afateve, pas 9 muajsh

09/04/2024 20:42

Anxhela Ngjeqarit prej 9 muajve nuk i zbardhej vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

Gjyq të cilën kjo e fundit e kishte hapur kundër motrës së saj për një testament të lënë nga nëna e tyre. Kjo e fundit ka ndërruar jetë duke i lënë ditët e fundit të jetës komplet bizneset dhe pasuritë motrës së Anxhelës. Në një kohë që Anxhela pretendon se nëna nuk ishte e vetëdijshme, por që më vonë faktoi se firma e hedhur në testament nuk ishte e nënës. Në këtë përfundim dolën dy ekspertët që vendosi gjykata, si eksperti i kriminalistikës që bëri ekspertizën e shkrimit të së ndjerës, si dhe eksperti mjeko- ligjor. Të dy dolën në përfundimin se shkrimi nuk ishte i të ndjerës dhe ditët e fundit të jetës ajo nuk ishte e aftë të vepronte e gjykonte.

Anxhela iu drejtua Fiks Fare pasi prej korrikut të 2023 nuk po merr dot një vendim të gjyqtares Matilda LLangozi, të cilën donte ta apelonte. Por pa zbardhjen e tij nuk mund të kryente veprime të tjera. Fiksi u interesua në sekretarin e gjykatës në Berat ku mori vesh se zbardhja e vendimit kishte mbërritur në këtë gjykatë vetëm në datën 25 shkurt 2024 pra gati pas 9 muajsh. Sekretarja justifikohet se zbardhja i është dërguar Anxhelës me anë të postës por që nuk është gjetur adresa. Në një kohë që Anxhela kishte autorizuar avokatin e saj dhe kishte lënë adresën e numër kontakti të tij. Por kërkesës së Fiksit sekretarja nuk i përgjigjet duke i injoruar. Më pas Anxhela njoftohet nga avokati i saj se ishte njoftuar nga sekretarja për të shkuar e marr vendimin. Anxhela shprehet se u desh ndërhyrja e Fiksit për të marr vendimin pas gati 1 viti.

Por çfarë përmban vendimi I cili për t’u zbardhur mori kaq shumë kohë?
Vendimi nr 607 i Gjykatës së Shkallës së Parë Berat i shpallur në datën 20 korrik 2023, për të cilin paditësja ka marrë dijeni në 8 prill 2024, ka si objekt padie shpalljen e pavlefshme të një kontrate dhurimi.
Anxhela Ngjeqari ka kërkuar të shpallet e pavlefshme një kontrate dhurimi në bazë të së cilës motra e saj është bërë pronare 100 përqind e një biznesi të së ëmës pas vdekjes së saj.

Objekti i gjykimit është një kontratë dhurimi e cila nënshkruhet nga nëna dhe bija në datën 11.03.2021
Një kontratë dhurimi e nënshkruar pa noter, por që sipas dokumentit ka një dhuruese që është nëna dhe një pranuese që është e bija, të 100 përqind të aksioneve të biznesit , duke përjashtuar kështu vajzën tjetër.
Vajza e përjashtuar nga kjo kontratë depoziton në gjykatë një akt ekspertimi grafik i cili vërtëton se këtë kontratë nuk e firmosi e ëma, gjithashtu këmbënguli se e ëma ditën e firmosjes së kontratës ka qenë në spital dhe në gjendje që nuk firmoste dot, ndaj i ka kërkuar gjykatës ndihmën e ekspertëve.

Kështu gjykata caktoi dy eksperte , një ekspert kriminalistik i cili do bënte vlerësimin grafik të emër,mbiemër dhe nënshkrimit të së ndjerës bazuar në dokumente të mëparshme. Eksperti tjetër ishte ai mjeko-ligjor për të kuptuar nga kartelat mjekësore nëse e ndjera ishte e aftë të vepronte dhe mendonte për të hedhur firmën bazuar në gjendjen e saj shëndetësore.

Ky akt dhurimi u firmos në 11 mars 2021 ndërkohë dhuruesja ndërroi jetë në 26 mars në një spital në TURQI. E ndjera ishte shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë në 9 mars, dhe në 11 mars, është po në spital në bazë të kartelës.
Në kontratën e dhurimit thuhet se në 11 mars e ndjera ka qenë te biznesi në Berat për të firmosur kontratën e dhurimit.
Ndërkohë që eksperti mjeko-ligjor në përfundimet e tij ka thënë se e ndjera në bazë të gjithë dokumenteve të administruara për gjendjen e saj shëndetësore në 11 mars, ajo nuk lëvizte fare, çka e çon në përfundimin se nuk e ka nënshkruar ajo kontratën e dhurimit.

Eksperti kriminalistik , thotë se në bazë të dokumenteve të administruara dhe që janë përdorur si krahasuese, këto dokumente janë firmosur nga i njëjti person, por jo nga e ndjera, përveç një dokumenti që e depoziton pala e paditur, dhe thuhet se janë nënshkruar nga i njëjti person. Në asnjë rast nuk vërtetohet se janë nënshkruar nga e ndjera.
Por si arsyeton gjykata?

Gjykata në arsyetimin e saj, rivlerëson gjendjen e të ndjerës në datën 11 mars, dhe sipas tyre ajo mund të nënshkruante. Duke hedhur poshtë aktet e ekspertimit të dy ekspertëve që vetë kishte vendosur.
Gjykata vazhdon edhe më tej ku ngre pretendimin që nuk u dorëzuan dorëshkrime të lira të zonjës, ndërkohë që ajo kishte ndërruar jetë. Gjithashtu bazuar në bindjen e brëndshme të gjyqtares, u vendos që të rrëzohet padia e Anxhelës, pra të një kontrate të nënshkruar pa noter dhe që ekspertët thonë nuk e nënshkroi e ndjera. Pra gjyqtarja me bindjen e saj të brendshme vendosi duke hedhur poshtë të gjitha ekspertizat që biznesi t’i lihet 100 përqind motrës së saj.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA