Shkrimtarja Mira Meksi e ftuar në emisionin “Artkand” në Top Channel ka rrëfyer detaje nga libri i saj “Parisi vret” i bazuar në një rrëfim të vërtetë nga botuesi i saj.
Në libër trajtohet një udhëtim i shkrimtarit Ismail Kadare në Paris dhe detyra e agjentes së policisë së fshehtë.
Jetona Koçibelli: Në dorë kemi “Parisi vret”, libri i cili u nderua me çmimin e panairit, më vjen mirë që mund të flasim në këtë pjesë të programit rreth krijimtarisë suaj të fundit sepse ka ngjallur shumë polemika. Historia është e thjeshtë një shkrimtar shqiptar, i cili në fillim të viteve ’90, është në Paris, aty shkon për ta vizituar një vajzë kryeqytetase shumë e famshme dhe më pas ngjarjet marrin rrjedhën e tyre. Publiku e ka identifikuar këto personazhe me personazhet realë të Tiranës së atyre viteve, por edhe të ditëve të sotme. Cilat kanë qenë komentet, a është e vërtetë?
Mira Meksi: Që në fillim të romanit ka një përkushtim dhe përkushtimi i bëhet Bujar Hudrit i cili është botuesi im, por është ai që më ka rrëfyer ngjarjen, sepse praktikisht ideja thelbësore e këtij romani është ngjizur në këtë rrëfim të tij i cili është real dhe po bëhet fjalë për Kadarenë, është shtator i vitit ’90 ndërkohë që Muri i Berlinit ka rënë, është tronditur regjim i i Tiranës, ka vrasje në kufirin shqiptar, ndërkohë që të tjerë nisen me ato autobusët e kortezheve mortore, pra është një tollovi e jashtëzakonshme. Pikërisht në këtë moment shkrimtari i madh merr një ftesë, shkrimtari i romanit tim merr një ftesë dhe për herë të parë lihet të udhëtojë vetëm. Diçka po luhej kundër tij, një kurth i policisë së fshehtë, jo Sigurimi i Shtetit, por i policisë së fshehtë, e cila ishte eprore e Sigurimit të Shtetit. Një vajzë shumë e bukur shumë e njohur.
Jetona Koçibelli: Kush është kjo Mira?
Mira Meksi: Tani do të shpjegoj pse nuk mund të them kush është kjo. Dërgohet nga policia e fshehtë të shohë se çfarë mendjeje ka shkrimtari, do të braktisë atdheun e tij apo do të kthehet dhe do të ishte i eleminuar nga kjo, agjente e rekrutuar nga policia e fshehtë e Tiranës e vila drejtohej nga vejusha e diktatorit dhe nga ai që mori kreun e partisë dhe shtetit në dorë. Në këto momente dua të sqaroj për diçka që më pyesin kush janë këta. Kur merren dhe futen brenda procesit krijues ata kthehen në tjetër personazh.
Top Channel