Ndonëse të mbështetura nga shumë parti politike votuesit irlandezë u thanë “Jo” ndryshimeve kushtetuese të prozuara nga kryeministri, Leo Varadkar. Ato lidheshin me konceptin e familjes dhe rolin e gruas brenda saj.
Votuesit irlandezë hodhën poshtë amendamentet kushtetuese të propozuara nga qeveria, lidhur me ripërcaktimin e përbërjes së familjes dhe rolin e gruas “brenda familjes”.
Kryeministri Leo Varadkar, i cili është mbështetës i këtyre ndryshimeve, e pranoi humbjen, duke thënë se amendamentet ishin ishin hedhur poshtë tërësisht nga një numër i madh votuesish.
“Ishte përgjegjësia jonë për ta bindur shumicën e njerëzve të votonin ‘Po’,” tha ai, “por ne dështuam qartësisht në këtë pikë.”
Ndryshimet i mbështetën gjithashtu partitë kryesore politike të vendit, që e shihnin referendumin si një shans për të modernizuar shoqërinë duke modernizuar kushtetutën e vitit 1937.
Cilat ishin ndryshimet e propozuara?
Amendamenti i parë synonte që përkufizimi i bazës ligjore të familjes të zgjerohej duke e zëvendësuar fjalën “martesë” me “martesë dhe marrëdhënie të tjera të qëndrueshme”.
Amandamenti i dytë synonte të hiqej nga kushtetuta ajo që Varadkari e quan “gjuhë shumë demode dhe shumë seksiste për gratë”. Fjalë është për “detyrat e nënës në shtëpi” dhe konfliktet e mundshme që puna mund të shkaktojë lidhur me atë rol.
Më e larmishme dhe liberale
Irlanda me një shoqëri dikur shumë konservatore dhe një popullsi me shumicë dërrmuese katolike është bërë gjithnjë e më e larmishme dhe liberale. Në referendume të ngjashme kushtetuese votuesit irlandezë kanë legalizuan tashmë divorcin (në vitin 1995), martesën e të njëjtit seks (në vitin 2015) dhe abortin (në vitin 2018).
Madje edhe Varadkari, i cili është publikisht homoseksual, po kryen aktualisht mandatin e tij të dytë si “taoiseach”, kryeministër i vendit./ DW
Top Channel