“Ministri më korrekt? Mediu është njëshi”/ Zbardhet debati në seancën gjyqësore pa kamera për Gërdecin, Zamira Durda: Njësh se ka vrarë njerëz

06/03/2024 11:04

Seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit, në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shty.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se në seancën e sotme, foli vetëm ish-drejtori Juridik i Ministrisë së Mbrojtjes, Rezart Tërshana. Ai shpjegoi se përse nuk u caktua një çmim për demontimin.

“Ne nuk caktuam çmim për demontimin, sepse nuk e dinim ku do bëhej demontimi. Komisioni i çmimeve nuk e dinte këtë gjë, kjo gjë nuk u diskutua, për sa kohë nuk e dinim ku do transportoheshin nuk vendosnim dot çmim. Me aq sa mbaj mend unë, 30 deri në 35 milionë euro harxhoheshin nga buxheti i shtetit për demontimin”, tha Tërshana.

Në seancë, u paraqiten Sokol Ngjeci dhe Dritan Minxolli, por nuk folën. Ndërsa Mihal Delijorgji dhe Luan Hoxha nuk u paraqitën , pasi nuk u gjetën në adresën e policisë. Njoftimi për ta do të ripërsëritet.

Anila Hoxha zbardh dialogun mes Mediut dhe Tërshanës në seancë, ku nuk mungoi as ndërhyrja e Zamira Durdës, që humbi djalin në tragjedinë e 15 marsit 2008.

Mediu: Çfarë raportesh ke patur me mua?

Tershana: Marrëdhënie pune, asgjë tjetër

Mediu: Çështje fitimi ka qenë demontimi?

Tërshana: Jo, ka qenë çështje sigurie

Mediu: E mbani mend urdhërin 2044?

Tërshana: Jo

Durda: Lërini urdhërat 2044, po flisni për pasojat e Gërdecit (me tone të larta)

Avokati Visha pyet Tërshanën: Cili nga ministrat ka qenë më korrekti sipas jush?

Tërshana: Mediu është njëshi

Durda: Njëshi është se ka vrarë njerëz

Gjyqtarja Irena Gjoka : Mbani qetësi

Seanca e radhës u caktua në 13 mars.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA