Një tragjedi e paimagjinueshme familjare ka ndodhur në Misuri të SHBA-së, ku një nënë i ka vënë zjarrin shtëpisë, ku ka shkaktuar vdekjen e saj dhe katër fëmijëve.
Sipas mediave të huaja ajo kishte mosmarrëveshje me dy baballarët e fëmijëve të saj, për kujdestarinë.
Nëna 39-vjeçare që vuri zjarrin në orët e para të së hënës quhej Bernadine Prusner, e cila në fakt dikur ishte shpallur mësuesja e vitit në Misuri. Nga zjarri vdiqën 9-vjeçaret binjake Eli dhe Ivy, 5-vjeçari Jackson dhe 2-vjeçarja Millie.
“Ajo që ne po vlerësojmë është se Bernadine i vuri flakën një dysheku e më pas zjarri u përhap,” tha një zëdhënës i policisë.
Në shtëpi u gjet një shënim në të cilin gruaja tregonte arsyen pse po i jepte fund jetës së saj dhe të fëmijëve.
Disa orë para se t’i vinte flakën vetes, Prausner kishte postuar një foto me fëmijët e saj në Facebook, ku shkruante: Të gjithë fëmijët e mi po flenë të qetë në shtretërit e tyre. E di që ata janë të dashur aq shumë sa do të bëja gjithçka për ta. Ky është momenti im më i mirë.
Të dielën në fakt ajo kishte bërë një tjetër postim ku shkruante “ne kundër gjithë botës. Jam e bekuar që jam nëna e tyre. Jeto çdo ditë sikur të ishte e fundit.”
Një postim në faqen GoFundMe të 39-vjeçares thotë se Pruessner ishte në një moment të keq pas një beteje për kujdestarinë me babain e binjakëve. Në vitin 2017 çifti ishte divorcuar me kujdestari të përbashkët, por babai i fëmijëve në vitin 2023 i ishte drejtuar drejtësisë pasi 39-vjeçarja dëshironte të shpërngulej në një periferi të St. Në dosjen e çështjes, babai shprehu shqetësimin e tij se ish-gruaja e tij do të ishte më afër nënës së saj, të cilën ai e cilësoi si “psikotike”.
39-vjeçarja dyshohet se ka pasur një mosmarrëveshje të ngjashme me babanë e dy fëmijëve të saj të tjerë. Baballarët e katër fëmijëve thanë në një deklaratë të përbashkët se “ne jemi të fokusuar në nderimin e jetës së katër fëmijëve tanë të mrekullueshëm dhe planifikojmë ta bëjmë këtë së bashku”.
Top Channel