Tensionet në Parlament vazhdojnë. Edhe kjo seancë e 5 shkurtit, e parashikuar për të diskutuar për problematikat e qytetarëve, është kthyer në kaos, ndërsa deputetët demokratë mbështetës të Berishës dhe grupi i Bardhit kanë hyrë me forcë në Kuvend.
Gazment Bardhi, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka kanë çarë kordonin e gardës në hyrje të Parlamentit, dhe kanë arritur të afrohen tek foltorja ku po mbajnë fjalën deputetët e maxhorancës.
Me të hyrë në sallë Bardhi i është drejtuar foltores dhe ulëseve të qeverisë, duke “bërtitur “kush je ti” drejt kryeministrit Rama, teksa ka hedhur tutje edhe xhaketën e tij. Menjëherë kanë ndërhyrë Gardistët, të cilët u bënë gardh tek foltorja për të mos t’i lejuar ata të kalonin.
Maxhoranca u përpoq të vijojë normalisht seancën, por deputetët e opozitës e konsideruan këtë provokim.
“Turp t’ju vijë juve që ndaloni kolegët. Juve që jeni të përjashtuar dhe nuk lejoni i kolegët tuaj të vijojnë si normalisht seancën. Turp, Turp. Ju lutem, jemi në seancë për të diskutuar për problemet e zgjedhësve”– tha Nikolla, duke i dhënë fjalën Etjen Xhafajt.
“Mos provoko”– iu kthye një nga deputetët e opozitës.
“Ne nuk po provokojmë, këtu po zhvillohet një diskutim për problematikat e qytetarëve”- tha Nikolla.
Ndërsa Xhafaj mbante fjalën, deputetët e opozitës kanë vijuar zhurmat duke mos lejuar vazhdimin normalisht të seancës dhe detyruar Nikollën të mbyll punimet.
“Ju nuk doni të flisni për hallet e qytetarëve. Këtu seanca mbyllet seanca mbyllet. Dëgjohemi në seanca të tjera”– tha Nikolla.
Top Channel