Vendimet e qeverisë/ Ministri Karakaçi: Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve do të menaxhohet nga shteti, nis puna për mbikalimet në Kashar dhe Yrshek

16/09/2026 12:53

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u ndal në disa nga çështjet kryesore të vendimmarrjes ekzekutive dhe zhvillimeve aktuale.

Gjatë këtij prononcimi për mediat, ai bëri me dije miratimin e ligjit të ri për rezervën e sigurisë së hidrokarbureve, e cila do të menaxhohet nga shteti për të garantuar stabilitet në kushtet e pasigurisë së tregut.

Gjithashtu, ministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët e Kasharit dhe Yrshekut për vonesat në ndërtimin e mbikalimeve përgjatë autostradës, duke kërkuar ndjesë për shqetësimin e krijuar dhe duke garantuar se puna ka nisur për realizimin e tyre sipas kontratës.

Ndërkohë, ai preferoi të mos japë komente të mëtejshme lidhur me pyetjet rreth emrit të Ron Yeffet, duke e orientuar interesin drejt sqarimeve zyrtare.

Deklarata: Propozojmë që rezerva e sigurisë së hidrokarbuereve do të mbahet nga shteti. Kjo është për momente kur ka pasiguri në treg në kushte të veçanta. Ky ligj i ri krijon detyrimin e ruajtjes së rezervës, duke e menaxhuar dhe e hedhur herë pas here në treg për të mos humbur cilësitë ekonomike. Miratuam vendim për Bashkinë e Tiranës, duke zvogëluar zonën për ndërtim, teksa kemi punuar për të mbyllur sa më shpejt procesin e rindërtimit.

E njihni Ron Yeffet, e keni takuar ndonjëherë?

Nuk kam asnjë koment përveç sqarimeve që keni marrë nga zyra. Nuk kam asnjë koment në lidhje me këtë çështje. Në lidhje me ministrinë tonë, për çdo çështje ju mund të merrni përgjigje menjëherë nga Ministria e Energjisë.

Banorët e zonës së Kasharit dhe Yrshekut kanë paralajmëruar protestë nëse nuk ngrihen mbikalimet. Tenderi ka qenë që deri më 31 korrik duhet të kishin mbaruar punimet. Çfarë do të ndodhe me banorët?

Për çdo shqetësim që i krijohet banorëve për punë që janë në të mirë të komunitetit, patjetër që mund të kërkoj ndjesë për çdo shqetësim. Është nisur menjëherë puna për dokumentacionin. Mbikalimet do të bëhen me të njëjtin numër që kanë qenë më parë. Prioriteti është vendosja e mbikalimeve në kohën më të shpejtë.

Nuk mund të rikthehen provizorisht?

Mbikalimet janë hequr si rrjedhojë e zgjerimit të autostradës. Kontrata është e lidhur dhe do të nisë menjëherë puna. Për çdo detaj tjetër mund të kërkoni dhe të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë.

 

Top Channel