Mbreti i Spanjës mbërrin në Guatemala për inaugurimin e presidentit të ri Arevalo

13/01/2024 18:56

Mbreti i Spanjës Felipe VI mbërriti sot në aeroportin La Aurora në Guatemala City për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Bernardo Arevalo të dielën.

I panjohuri Bernardo Arevalo po bëhet president i Guatemalës pas një fushate me tone anti-korrupsion, duke u zotuar të “fusë frikë te elita e korruptuar”, që sipas tij tentuan me çdo mënyra ta ndalonin të fitonte.

Megjithëse 65-vjeçari është i biri i një ish-presidenti, mediat thonë se ishte relativisht i panjohur kur nisi procesi zgjedhor në qershor.

Në gusht ai fitoi 59 përqind të votave, megjithë disa përpjekje të organizuara për ta skualifikuar nga gara.

Fushata e tij raportohet se frymëzoi të rinjtë prej transmetimeve dhe mesazheve në rrjetet sociale.

Mesazhet anti-korrupsion të Arevalo duket se prekën kombin e varfëruar  ku dhuna e korrupsioni dërgojnë në emigracion mijëra njerëz çdo vit në kërkim të një jete më të mirë, kryesisht drejt SHBA.

Arevalo është i biri i presidentit reformist Juan Jose Arevalo (1945-1951), që konsiderohet si lideri parë i zgjedhur demokratikisht pas diktaturës së Jorge Ubico.

Familja e tij ka jetuar më parë në Venezuelë, Meksikë e Kili, ndërsa presidenti i ri ka studiuar sociologji në Izrael.

“Unë nuk jam im atë por do të ndjek të njëjtën rrugë që ai nisi dhe këtë do ta bëjmë së bashku”, tha ai në mitingun e fundit.

“Keni qenë prej vitesh preja e politikanëve të korruptuar,” deklaronte Arevalo në fushatë mes tentativave për pezullimin e partisë së Semilla që sollën protesta të brendshme dhe kritika nga jashtë.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA