Trump humbet betejën gjyqësore për letrën e Epstein, gjykata rrëzon përfundimisht padinë 10 miliardë dollarëshe kundër “Wall Street Journal”
Një shkencëtare e njohur e Universitetit të Kembrixhit është konfirmuar mes viktimave të aksidentit të rëndë hekurudhor në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 69 persona.
Bëhet fjalë për doktoreshën Marta Shahbazi, e cila ndodhej në njërin prej trenave të përfshirë në përplasjen tragjike pranë Urda-s, në jug të Madridit.
Lajmi u konfirmua nga Laboratori i Biologjisë Molekulare i Këshillit të Kërkimeve Mjekësore (MRC LMB), në Kembrixh, ku Shahbazi drejtonte një grup kërkimor. Ajo ishte gjithashtu profesoreshë e asociuar në Universitetin e Kembrixhit dhe pjesë e Institutit të Qelizave Staminale të këtij universiteti.
Instituti spanjoll CiMUS ka shprehur ngushëllimet për humbjen e shkencëtares, duke e cilësuar atë si një “studiuese të re të jashtëzakonshme”.
“Marta ishte një shkencëtare e talentuar, drejtuese e një grupi kërkimor në Laboratorin e Biologjisë Molekulare të MRC-së dhe profesoreshë e asociuar në Institutin e Qelizave Staminale të Universitetit të Kembrixhit”, thuhet në mesazhin e institutit.
Marta Shahbazi ishte specialiste në biologjinë qelizore dhe kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në studimin e zhvillimit të hershëm njerëzor. Për arritjet e saj shkencore, ajo ishte shpallur fituese e një çmimi nga Shoqata Spanjolle për Biologjinë e Zhvillimit.
Çmimi pritej t’i dorëzohej gjatë konferencës së kësaj shoqate në El Rompido, në rajonin e Andaluzisë, në jugperëndim të Spanjës. Përpara konfirmimit të vdekjes, Laboratori i Biologjisë Molekulare kishte bërë të ditur se shkencëtarja ndodhej në njërin prej trenave të përfshirë në aksident, por vendndodhja e saj nuk dihej.
Shahbazi kishte kryer studimet e doktoraturës në Qendrën Kombëtare Spanjolle të Kërkimeve për Kancerin. Më pas ishte bashkuar me Universitetin e Kembrixhit si kërkuese pas doktoraturës, përpara se në vitin 2020 të bëhej pjesë e Laboratorit të Biologjisë Molekulare.
Përplasja mes dy trenave, një nga tragjeditë më të rënda në Evropë
Aksidenti ndodhi më 28 tetor, kur një tren me shpejtësi të lartë i kompanisë shtetërore Renfe u përplas me pjesën e pasme të një treni të palëvizshëm, që operohej nga kompania Iryo.
Bilanci paraprak i tragjedisë është të paktën 69 viktima, ndërsa mbi 540 persona ndodheshin në të dy trenat në momentin e përplasjes.
Sipas zëdhënëses së qeverisë së rajonit Castilla-La Mancha, Esther Padilla, treni i kompanisë Iryo kishte në bord 146 pasagjerë dhe një foshnjë, ndërsa në trenin e operuar nga Renfe udhëtonin 397 persona.
Aksidenti konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës dhe më i rëndi në Spanjë që prej vitit 2013. Në shenjë zie për viktimat, autoritetet spanjolle shpallën tri ditë zie kombëtare.
Top Channel