Dhjetra mijëra butanezë votuan sot në mbretërinë e vogël të Himalajeve ku partitë zotoheshin ‘të zgjidhnin’ problemet e ashpra ekonomike, që sipas raportimeve kanë goditur parimin vendas të “lumturisë e mirëqenies” së njerëzve.
Raportimet e para thonin se partia e ish-kryeministrit Tshering Tobgay ka fituar zgjedhjet e të martës teksa fushata u dominua nga debatet dhe sfidat e ashpra ekonomike.
Shqetësimi i shumicës së votuesve në mbretërinë me shumicë budiste është gjenerata e re që lëndohet nga papunësia dhe largimi i të shkolluarve.
Partia Demokratike e Tobgay raportohej se kishte fituar dy të tretat në parlament teksa ‘ambjentalisti’ 58-vjeçar pritet të bëhet kryeministër për herë të dytë.
Zyrtarët thonin se partia e Tobgay ka fituar 30 vende në parlament kurse 17 vendet e mbetura i mori partia Bhutan Tendrel (BTP), bazuar në rezultatet paraprake.
Disa prej votuesve duhet të ecnin për më shumë se 24 orë për të hedhur votën e tyre, në vendin me 800,000 banorë dhe sipërfaqe thuajse sa e Zvicrës, shkruan rrjeti AFP.
“Vendet e punës në Butan janë të pakta dhe qeveria e re duhet të fokusohet te ekonomia që të rinjtë të mos largohen”, tha studenti 22-vjeçar Ugyen Tshering, pasi vizitoi në kryeqytetin Thimphu.
Papunësia e të rinjve në Butan qëndron në 30 përqind, teksa ekonomia nuk është rritur më shumë se 1.7 përqind në vit këto pesë vitet e fundit, shkruan rrjeti AFP.
Vendi i ngjeshur mes Indisë e Kinës ka parë largime të shumta në emigracion që prej zgjedhjeve të fundit, kryesisht drejt Australisë që duket se ka lehtësuar vizat për ta.
Top Channel