Gjykata e Dibrës vendosi masën “arrest në burg” për Luan Mjeshtrin, vëllanë e kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri dhe Arlin Limanin, specialist i shërbimit social në Njësinë Administrative Ostren.
Kurse ndaj Fitim Ballës, sekretar i Këshillit Bashkiak Bulqizë u dha masa “arrest në shtëpi”, me vendim të gjyqtarit të çështjes, Xhevdet Lika.
Të tre zyrtarët akuzohen për dhënie certifikatash me kombësi bullgare me qëllim përfitimin e pasaportave dhe shtetësisë bullgare.
Fiks Fare vërtetoi mbrëmjen e djeshme me zë e figurë se sa e lehtë është të blesh një vërtetim të origjinës bullgare në Ostren të Bulqizës, pa pasur rëndësi se çfarë origjine ke. Kundrejt 100 mijë lekëve Fiksi bleu dy të tilla të firmosura dhe vulosura nga administratori i Ostrenit, Luan Mjeshtri.
Si pasojë ranë në pranga 62-vjeçari Luan Mjeshtri, banues në Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Arlin Limani, 33 vjeç, banues në Ostren, me detyrë specialist i Shërbimit Social, në njësinë administrative Ostren dhe 61-vjeçari Fitim Balla, banues në Trebisht, me detyrë sekretar i Këshillit Bashkiak, në bashkinë Bulqizë.
Top Channel