Iu kërkua të paguante 150 milionë dollarë në padinë për shpifje, Rudy Giuliani shpall falimentimin

22/12/2023 07:23

Rudy Giuliani ka bërë kërkesë për falimentim, vetëm disa ditë pasi i është kërkuar të paguajë 148 milionë dollarë për dy ish-punonjës zgjedhorë në Xhorxhia, pasi i ka akuzuar për mashtrime, teksa ka punuar për të përmbysur humbjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020.

Giuliani, i cili është njohur si “shefi i Amerikës” për shkak se ka qenë kryetar i Nju Jorkut, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, përballet me borxhe të mëdha, disa prej të cilave janë pasojë e punës së tij me Trumpin.

Ai përballet edhe me akuza penale në Xhorxhia.

Në kërkesën për falimentim, në një gjykatë në Nju Jork, Giuliani ka thënë se ka detyrime mes 100 – 500 milionë dollarëve dhe asete në vlerë të 1-10 milionë dollarëve.

Një zëdhënës i Giulianit ka thënë se kërkea për falimentim i ka thënë kohë për të apeluar gjobën prej 148 milionë dollarëve, për t’u siguruar që kreditorët tjerë e trajtojnë në mënyrën e duhur.

“Asnjë person nuk mund të ketë besuar që kryetari Rudy Giuliani do të mund të paguante një masë aq të lartë ndëshkuese”, ka thënë zëdhënësi Ted Goodman.

Procedurat e falimentimit në Shtetet e Bashkuara u mundësojnë individëve dhe kompanive që t’i fshijnë ose riorganizojnë borxhet e tyre, dhe Giuliani besohet se në këtë mënyrë do t’i pushojë  të gjitha paditë që janë kundrejt tij.

Megjithatë, procedura e falimentimit nuk garanton se do të mund të fshihet borxhi që ka ndaj punonjëseve zgjedhore.

Giuliani është deklaruar i pafajshëm për akuzat penale për tentimet për përmbysje të rezultatit në Xhorxhia, bashkë me Trumpin dhe disa të pandehur tjerë. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 i ka fituar presidenti aktual, Joe Biden./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA