Kryeministri hungarez Orban thotë se ‘sëmundja po i ha’ demokracitë perëndimore

21/12/2023 18:47

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot në konferencën e shtypit të fundvitit se “një lloj sëmundjeje po i ha nga pak” demokracitë perëndimore, duke iu referuar problemeve të fundit ligjore të Donald Trump në SHBA dhe reformën drastike në media nga qeveria e re në Poloni.

Nacionalisti hungarez ka pasur përplasje të shpeshta për politikat me Brukselin dhe krerët e BE, ndërsa sot përsëriti se “gjëra të çuditshme po ndodhin në botën demokratike”.

“Një sëmundje duket se i po ha nga pak demokracitë perëndimore,” tha ai pa përmendur emra të vendeve të veçanta.

“Duhet të bëjmë kujdes pasi në një vend të madh demokratik perëndimor, nëse e kam kuptuar saktë, po kërkojnë të bllokojnë një nga kandidatët më të preferuar presidencialë, duke i vendosur pengesa ligjore që të mos garojë për zyrën”, tha më pas Orban.

Dje gjykata e lartë e shtetit amerikan të Colorado shpalli Trump të paftë për të kandiduar “prej përfshirjes në trazirat e janarit 2021” në ndërtesën e Kongresit në Uashington.

Orban më tej kritikonte “një tjetër vend, po aq i rëndësishëm, ku një parti me përfaqësim të madh në parlament, është nën mbikqyrje të ashpër nga siguria kombëtare”.

Kjo duket se i referohej Gjermanisë ku shërbimet e inteligjencës po monitorojnë partinë e të djathtës ekstreme AfD prej vitit 2021 sipas zyrtarëve për tendanca ekstremiste, shkruan rrjeti AFP.

“Shoh dhe një vend të tretë demokratik ku marrja e kontrollit të televizionit po bëhet me forcën e policisë”, tha Orban.

Në Poloni qeveria e re pro-evropiane e drejtuar nga Donald Tusk ka zëvendësuar të djathtët Ligj e Drejtësi, aleatë të ngushtë të partisë Fidesz të Orban, dhe po spastron zyrtarët e medias me akuza ‘njëanshmërie’.

Reforma e tyre në mediat shtetërore ka shkaktuar protesta dhe deputetët kanë bllokuar televizionin në kundërshtim të ndryshimeve.

Më tej Orban ia la vendin ironisë: “Sikur këto të kishin ndodhur në Hungari, ndoshta do të kishin ndërhyrë trupat e NATO-s dhe kjo ngre problemin e standardit të dyfishtë”.

Disa media ndërkombëtare ankoheshin se nuk ishin lejuar të merrnin pjesë në konferencën e Orban, shkruan AFP.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA