“U mjaftonin 5 minuta, vodhën 100 shtëpi”, shkatërrohet banda e grabitësve shqiptarë në Spanjë/ Njiheshin si “banda e Mercedesit”

20/12/2023 12:58

Në një operacion të përbashkët Garda Civile dhe Policia Kombëtare spanjolle arrestuan 15 persona nga banda në Barcelonë, e cila vepronte edhe në Francë, Itali, Shqipëri dhe Gjermani, duke shkatërruar kësisoj organizatën kriminale.

Janë sekuestruar gjithashtu 10 mijë euro kash, tre armë, gjashtë makina luksi dhe 15 celularë.

Organizata kriminale, e përbërë nga shtetas shqiptarë dhe spanjollë, njihej si “banda e Mercedesit”, për shkak të markës së makinës që ata përdornin gjatë vjedhjeve, të cilat u regjistruan në një servis në Nava.

Hetimi, i njohur si “operacioni Tirania Robiko22”, filloi në fund të janarit të kaluar kur u zbulua një rritje e grabitjeve në shtëpitë e familjejeve të njohura në provincat e León dhe Asturias si dhe në disa qytete të tjera.

Pas këtyre ngjarjeve, u morën të dhëna që sugjeronin ekzistencën e një rrjeti kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas me origjinë shqiptare dhe që kishte bashkëpunim me shtetas spanjollë kryesisht këta të fundit kishin detyra logjistike si marrja me qira e automjeteve apo gjetja e banesës.

Organizata kriminale, me qendër në Katalonjë, por me lëvizshmëri të madhe në të gjithë Spanjën, përbëhej nga pesë celula të shtetasve shqiptarë shumë të specializuar në vjedhjet brenda shtëpive.

Këta u grupuan në grupe prej tre ose katër personash me një shpërndarje shumë specifike detyrash (një shofer që kryente funksionet e vëzhgimit dhe një grup tjetër për të “sulmuar” shtëpitë).

Ata vepronin midis orës 20.00 dhe 00.00 të natës. Mënyra e hyrjes në shtëpi ishte gjithmonë e njëjtë, ata hidheshin mbi gardhe apo mure dhe hynin e dilnin në një kohë të shkurtër, duke mos qëndruar më shumë se 5 minuta në shtëpi.

Grupi kriminal përdorte pothuajse 30 automjete të ndryshme për të kryer të gjitha grabitjet dhe ishte vazhdimisht në lëvizje.

Kjo organizatë ndërkombëtare kishte anëtarë në Francë, Itali, Shqipëri dhe Gjermani, ku një nga të arrestuarit u identifikua si autor i një grabitjeje në vitin 2016-të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA