Premiera absolute e filmit ‘5 herë jo’ me protagonistë Bora Zemanin dhe Donald Veshaj u kurorëzua me një mbrëmje plot shkëlqim dhe të ftuar të veçantë.
Në parakalimin e tapetit të kuq të gjithë kishin rezervuar një shfaqe të veçantë për nder të këtij eventi të shumëpritur. Artistë, sipërmarrës, njerëz të medias spektaklit dhe politikës bënë një gëzuar për këtë krijim të ri artistik.
Pas mikpritjes, radhën e kishte filmi. Një komedi romantike, me protagonistët Jora dhe Gjergji, dhe sfidën e komplikuar të dashurisë së tyre që zhvillohet për aq kohë sa ata të dy konkurrojnë për të fituar një projekt të madh televiziv. Nën regjinë e Erion Bubullimës dhe me protagonistë Bora Zemanin, Donald Veshaj, Agron Llakaj, Egla Ceno etj, filmi ngjalli të qeshura pa fund.
“Mund të më mbushen përsëri sytë me lot. Ishte një super emocion të shikosh njerëzit që duartrokasin produktin që ti je lodhur aq shumë dhe ke punuar aq shumë”, tha Donald Veshaj.
“Kam punuar shumë për ta arritur atë rol dhe për ta realizuar tamam. Sot emocionet kanë qenë të shumta. Sot kur dëgjonim duartrokitjet e njerëzve ishte tamam shpërblimi më i madh. Gjithë ajo punë për kaq muaj, u shpërblye pikërisht sot”, u shpreh Bora Zemani.
Shumë shpejt filmi do të jetë në çdo qytet të Shqipërisë, por edhe në Prishtinë.
“Do e nxjerrim këto ditë datën ekskluzive kur do jemi në Prishtinë. Por edhe në qytete të tjera po ju them që javës vjen”, tregon Donaldi.
Megjithatë surpriza më e veçantë e kësaj mbrëmjeje të gjatë ishte propozimi që Donaldi i bëri Borës dhe që mori mbrapsht një “Po”.
“Unë jam grua e martuar kam një burrë tani. Nuk e prita fare. ishte një surprizë shumë e bukur që e kemi vetëm për veten tonë”, u shpreh Bora.
Top Channel