Me 10 nëntor 2016 paketa maxhoritare e aksioneve të kompanisë koncensionare, u ble nga kompania Arimo B.V., për 160 mijë euro, e cila ishte e regjistruar në Holandë. Në të njëjtën adresë rezultonin edhe kompani të tjera të lidhura me Klodian Allajbeun.
Por, nuk mbaron me kaq. Kompania Arimo B.V., zotëron mes të tjerash një kompani farmaceutike të quajtur FARMACOM. Aty, sërish del emri i mjekut Ertel Kërçuku si administrator. Edhe më interesante aty është zbulimi i administratores së shoqërisë “Arimo BV” që bleu konçesionin e Dializës. Fjala është për juristen Xhejni Zela. Sipas listës së pagave që rrodhi në publik, ajo rezulton punonjëse në Studion e Avokatisë që mbron interesat e Spitalit Amerikan dhe rrjetit të kompanive të Klodian Allajbeut. Pra, me gjithë përpjekjet, asgjë nuk mund të fshihet. Këto konstatime, duhet të jenë objekt hetimi i organeve kontraktuese dhe Autoritetit të Konkurencës. As ky kamuflim me kompaninë e ashtuquajtur holandeze nuk ishte i sigurtë për biznesmenin Allajbeu që synonte të zhdukte gjurmët e tij pas koncesioneve.
Më 25 qershor 2019, kompania e koncensionit të hemodializës iu shit kompanisë fantazmë suedeze Diaverum International AB, për 1.5 milionë euro. Sërish një vlerë e ulët dhe pa llogjikë ekonomike në raport me përfitimet që sillte kontrata koncesionare.
“Dyshohet sepse ne momentin që ti shet një biznes më pak se vlera reale kjo tregon se ka arsye të dyshosh për evazion fiskal”– u shpreh eksperti ekonomisë, Klodian Muço.
“Shitja me një vlerë të ulët, pa kurrfarë lidhje me tregun, duhet parë si element i dyshimit të bazuar për përfitim të dikujt pra për aktivitet korruptiv“- u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.
Sipas dokumenteve, Klodian Shehi mban pozicionin e drejtuesit të kompanisë ‘suedeze’ DIAVERUM INTERNATIONAL AB”, që mori në pronësi 100 % kompaninë “DiaVita” . Klodian Shehi rezulton të jetë një tjetër person i besuar i Allajbeut. Ai është kunati i biznesmenit, bashkëshorti i motrës. Ky person shfaqet si drejtues apo aksioner edhe në kompani të tjera të bosit të kontratave të Shëndetësisë. Pasi u zbuluan këto të dhëna, koncesioni shitet sërish. “Diaverum” që në vetvete zotëronte kompaninë e zbatimit të koncesionit u shit tek “M42” e Abu Dhabi. Një ndërmarrje e kujdesit shëndetësor e krijuar rishtazi nga fondi shtetëror “Mubadala Investment Company” dhe firma e inteligjencës artificiale G42.
“Ndryshimi i pronësisë kundrejtë kushteve fillestare qoftë edhe te një kompanie tjetër të të njëjtit profil mund dhe duhet të jetë objekt hetimi penal“- u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.
Mbetet për t’u parë se cilët janë emrat që fshihen pas kompanisë së re që zotëron kontratën e Dializës. Ajo që dihet me siguri është se vitet e fundit, në Emiratet e Bashkuara Arabe mjaft shqiptarë të botës së krimit kanë transferuar shuma të mëdha parash me burim korrupsionin dhe krimin.
Top Channel