“Në fillim ne refuzuam të largoheshim, por u larguam pas ashpërsimit të bombardimeve”, thotë një burrë i zhvendosur nga Xhabalia, teksa banorëve të Gazës po u jepen tenda për të banuar në Rafah.
Izraeli ka thënë se nuk kërkon dëbimin e përhershëm të popullatës por siç duket një tjetër kamp masiv refugjatësh po krijohet me palestinezët e dëbuar.
Një rezident tha për rrjetin AFP: “Unë erdha direkt në Rafah, siç na paralajmëroi ushtria pushtuese me fletushka që hidheshin dhe me telefonata. Fillimisht refuzuam por bombardimet u shtuan. Jemi me fëmijë, gra e pleq. Unë iu luta të mos na bombardojnë por ai tha ‘po ju japim kohë të largoheni sepse do ta zhdukim të gjithë Rripin”.
Ndërkohë luftime e shpërthime vijonin në Gaza teksa fushata ushtarake e Izraelit kundër grupit Hamas hyn në muajin e tretë, me më shumë se 15 000 palestinezë të vrarë dhe dhjetra mijëra të dëbuar.
Ushtria izraelite ka rrethuar qendrat e mbetura urbane me tanke, avionë e buldozerë në Khan Yunis, qyteti më i madh në jug të Gazës, ashtu dhe rrënojat e bombardimeve në Gaza.
OKB aktivizuar “nenin 99” të marrëveshjes kryesore për veprim të Këshillit të Sigurimit në konflikt, per situatën ne Gaza.
Neni 99 i lejon sekretarit të përgjithshëm “të sjellë në vëmendjen e Keshillit të Sigurimit një çështje që sipas tij cënon ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Në letrën ndaj kreut aktual të Këshillit, Guterres përmend përgjegjësinë e tij duke thënë se situata në territoret e pushtuara palestineze dhe në Izrael “mund të përkeqësojë kërcënimet aktuale dhe të cënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Në përgjigje të letrës së Guterres, Emiratet e Bashkuara arabe postuan një draft rezolutë për Këshillin ku kërkohet armëpushim humanitar me urgjencë. Ata shtonin se situata në Gaza është katastrofike dhe drejt të pakthyeshmes. “Nuk mund të pritet më”.
Aktualisht kryesues i Këshillit të Sigurimit është Ekuadori.
Top Channel