Aktori i mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi është përcjellë për në banesën e fundit.
Që nga ora 10:00 deri në 13:00, në nder të tij, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u zhvilluan homazhe.
Në homazhe morën pjesë artistë të njohur, kolegë, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare. Kabashi do të prehet në varrezat e Sharrës.
Aktori i madh, Mirush Kabashi u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 75-vjeçare, pas një beteje 3-vjeçare me një sëmundje të rëndë.
Kolosi i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, fituesi i “Sfinksit të Artë” mes aktorëve nga e gjithë bota me interpretimin e “Apologjisë së Sokratit” mbylli sytë për të mos u zgjuar më kurrë pas mesnate.
Mirush Kabashi ka gdhendur dhjetëra karaktere të papërsëritshëm në ekran e teatër, një galerie personazhesh që kujtohen dhe janë pjesë e të folurës së përditshme përmes batutave të tyre. Aktivist i shumë kauzave sociale, zë i fortë i çështjes kombëtare.
Do të kujtohet gjithnjë për artin e tij dhe gjithçka dha në shërbim të tij dhe shoqërisë. Do të kujtohet edhe me shprehjen e tij “Trupin ç’e do, shpirti ka vlerë.”.
Top Channel