Pasagjeri kapet duke trafikuar 160 kafshë ekzotike përfshi gjarpërinj, kameleonë e bretkosa, në fluturimin nga Miami drejt Perusë

01/12/2023 21:39

Rreth 160 kafshë ekzotike përfshi gjarpërinj, breshka e merimanga janë sekuestruar në një aeroport në Peru.

Sasia spektakolare e kafshëve të rralla u konfiskua në aeroportin e Jorge Chavez në kryeqytetin peruan Lima.

Gjallesat e pafajshme u gjetën në bagazhet e një pasagjeri që udhëtonte nga Miami drejt një vendi aziatik të paspecifikuar, njoftonin autoritetet peruane të mbrojtjes së botës së egër.

Zyrtarët shtonin se kafshët ishin në gjendje të mjeruar, thuajse të mbytura nga mungesa e ajrit, të futura në shishe mjekësore, kuti plastike apo dhe të mbështjella me kashtë.

Kafshët ishin futur në dy valixhe që mbaheshin nga pasagjeri peruano-amerikan, në datë 17 nëntor, thonin zyrtarët.

Me sa kuptohet ai kërkonte t’i kalonte ato ilegalisht drejt Azisë.

Mes të tjerave oficerët gjetën tarantula amerikano-latine të ngjyrave të ndryshme nga Panamaja e Brazili, por dhe disa specie nga Afrika.

Një mori prej 29 gjarpërinj të vegjël misri u gjetën të futur në shishe plastike si dhe 14 bretkosa Cranwell.

Mes tyre ishin të paktën 15 specie të mbrojtura ndërkombëtarisht si hardhuca e Savanës, kameleoni Jackson dhe breshka të rralla.

Kafshët raportohet se u transferuan më pas në dy qendra të specializuara në Lima për kujdesje.

Prej kushteve të këqija dhe mungesës së ushqimit të paktën katër kafshë u gjetën të vdekura.

Dërgesa e kafshëve ekzotike duhet të ketë pasur vlerë në disa dhjetra mijëra dollarë në tregun e zi.

Agjencia e OKB për krimin e drogat thotë se trafiku ilegal i botës së egër është një treg i lakmuar për krimin e organizuar, së bashku me trafikun njerëzor dhe të armëve.

FOTO GALERI
2/9
Breshka kurriz-harte ishte mes specieve te trafikuara

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA