Kryefjala e ditës së djeshme ishte padyshim këngëtari botëror Drake, i cili në videoklipin e këngës së tij të re, “Polar Opposites” që është pjesë e albumit të tij të fundit “For All the Dogs”, u shfaq me një xhaketë me flamurin shqiptar, ndërsa edhe në tekst përmend Prishtinën.

Ylli zgjodhi ta postojë këngën në 28 Nëntor, në ditën e Çlirimit të Shqipërisë dhe një ditë pas Ditës së Pavarësisë. Katër burrat e tjerë pjesëmarrës në videoklip, me të njëjtën veshje, duken si shqiptarë, teksa luajnë kumar, pa shprehur shumë mimika.

Në një paragraf Drake përmend emrin e një vajze që quhet Mariana, duke thënë se i ka thyer besimin dhe po ashtu në fund të paragrafit përmend Prishtinën, me tensionin atje që po rritet.

“Mariana, ti më theve besimin. Pse duhet të dëgjosh propagandën? Ne sapo thyem akullin, dhe tani ne të dy po largohemi. U tregova i sjellshëm, nuk e kuptoj, duhet ta lini motrën të jetë zëri i arsyes, ose është teksti juaj që po e lexoj gabim, ose janë thjesht veprimet e tua mashtruese. Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë, e di vetëm se tensioni po rritet”, thotë Drake.

Tek tekstshkruesit është edhe emri i Gentuar Memishit, një shqiptar nga Kosova që prej kohësh punon me emrat më të njohur të muzikës në botë, gjithashtu një nga producentët e Drake, për të cilin ka shkruar edhe tekste të tjera si “Privileged Rappers”, “Calling For You” dhe “What Would Pluto Do”.

Memishi numëron suksese edhe me artistët e tjerë ndërkombëtarë si Kanye West, Lil Yachty, Doja Cat, Lil Yachty, Ty Dollar Sigh, Wiz Khalifa, J. Cole, DaBaby, “City Girls” e shumë të tjerë.

Shqiptarët “vërshuan” në rrjete sociale për të publikuar foto apo video nga videoklipi i tij, ndërsa shprehën falënderime për përkrahjen dhe dashurinë e tij ndaj Shqipërisë.

“Kjo është si një dhuratë nga Drake për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen duke na uruar ‘Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri, Faleminderit Drake'”, shkruan një përdorues, në seksionin e komenteve të YouTube, që numëron rreth 1 milion e 500 klikime.

“Drake duke i treguar dashuri Shqipërisë është çmenduri”, tha një tjetër.

“Faleminderit për vlerësimin ndaj nesh dhe që i tregon botës flamurin tonë të bukur, shqiptarët të duan”, shkruan një tjetër.

Në foton e publikuar në Instagram, që tashmë numëron rreth 1 milion pëlqime, në përshkrim ai ka vendosur flamurin shqiptar.

Ndërsa përdoruesit e TikTok ishin më “kreativë”. Memet janë të ndryshme, nga vendosja e një kënge shqiptare në sfond me videoklipin e Drake, apo duke i ndryshuar emrin në emër shqiptar. Vetëm hashtagu “DrakeAlbania” numëron tashmë mijëra klikime. Për me tepër ata janë në kërkim të Marianës…

“Ai nuk quhet më Drake por Drejk; Dritan; Dardan; Daut etj”/  “Drake nga Lezha” “Drake + Irini Qiriako, kur është bashkëpunimi?”/  “Drake duke marrë pjesë në dasmat shqiptare 2024”/ “Drake po flirton me Dua Lipën”/ “Drake do bëjë këngën e fushatës të PD në 2025-ën”, këto janë pak nga mijëra komente në TikTok.

E sigurisht kjo mori vëmendje të madhe edhe nga media apo komentues të huaj. E famshmja “Rolling Stone” “TMZ” apo “Revolt” kanë përmendur “dedikimin” e tij ndaj Shqipërisë.

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë ishte dje, por Drake nuk mendon se është vonë për t’iu bashkuar festës. Në klip Drake dhe miqtë e tij shqiptarë luajnë lojëra të veshur me xhaketë të kuqe, të gjitha me simbolin kombëtar dhe etnik, shqiponjën, shkruan Rolling Stone.

Teksa Shqipëria feston pavarësinë e saj, Drake vjen i nxehtë … metaforikisht duke valëvitur flamurin dhe duke treguar vlerësim për Shqipërinë në videoklipin e tij më të fundit. Të mërkurën, një ditë pas Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Drake hodhi videon për “Polar Opposites” … ku ai dhe djemtë në video janë veshur me xhaketa shqiptare, duke përshkruar ngjyrat e kombit. Ai shpenzon pjesën më të madhe të klipit duke luajtur poker me ekipin e tij shqiptar në atë që duket të jetë një anije e ulur në detin Adriatik. Drake tregoi gjithashtu njohuritë e tij gjeopolitike duke përmendur krizën e vazhdueshme të Shqipërisë në Kosovën e Veriut me Serbinë në tekstin e këngës, shkruan TMZ.

Përveçse ka veshur një xhaketë lëkure të kuqe të flamurit shqiptar, klipi e shfaq atë mes një grupi njerëzish që i përshtaten profilit të mafiozëve të filmit. Megjithëse rëndësia e vendit të lartpërmendur me këngën dhe videon e saj nuk është plotësisht e qartë, Drizzy përmend kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, në tekst, shkruan HipHopdx.

Klipi tregon yllin e Torontos me një grup shqiptarësh, të cilët mund të shihen të gjithë duke luajtur kumar përkrah tij me xhaketa lëkure identike të kuqe, shkruan Revolt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA