Parada e Shqiptarëve po mbahet këtë 28 Nëntor në Tiranë, me pjesëmarrjen e shqiptarëve të Diasporës.

111-vjetori i Pavarësisë po festohet me një paradë kuq e zi që organizohet për herë të parë në Tiranë, që nisi në sheshin “Nënë Tereza” dhe u mbyll në sheshin “Skënderbej”, me pjesëmarrjen e më shumë se 125 bashkive të trojeve shqiptare.

“Pavarësisht shiut ne jemi këtu në këtë atmosferë të bashkuar, shiu është bereqet po kënaqemi. Kemi nisur festën që mbrëmë me hare, këngë aq sa më është marr dhe zëri”, tha një nga pjesëmarrësit.

Pas një tradite 15 vjeçare në New York, parada e shqiptarëve realizohet në Tiranë përmes një bashkëpunimi me bashkinë e kryeqytetit dhe shoqatës “Rrënjët shqiptare”.

Me një atmosferë plot energji, me praninë e shqiptarëve të mbarë botës pa dallim moshe, feje, me këngë e valle patriotike, parada kuq e zi prezantoi edhe simbole historike e figura të çmuara kombëtare, si Skënderbeu.

 

Nga sheshi “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi shqiptarët 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Sipas tij, shqiptarët janë duke jetuar ditët tona më të mira, kombi ynë nuk ka qenë kurrë më i begatuar dhe s’kemi qenë më të lidhur se sot.

“Falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ardhur nga çdo cep i trojeve tona. Kemi pak shi sot, por është bereqet, është begati. I uroj secilit gëzuar festën e flamurit, gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Është shumë e rëndësishme, që teksa kemi ambicie për të shkuar përpara, të kthejmë pak kokën pas, edhe të kuptojmë sa rrugë kemi bërë së bashku, sa vështirësi kemi kaluar së bashku. Të frymëzohemi nga një e kaluar që vërtet na ka rrëzuar shpesh, por jemi ngritur më të fortë, më të bashkuar, jemi bërë më të mirë, jemi lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë të pazgjidhshme“, tha Veliaj.

FOTO GALERI
4/73

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA