Hamasi i qëndron ujdisë, lirohen pengje të tjera: Izraeli- Do shkatërrojmë tunelet!

25/11/2023 08:40

Armëpushimi po mban në Gaza dhe Hamasi po i qëndron marrëveshjes me Izraelin: 14 pengje të tjera pritet të lirojë grupi militant gjatë ditës së sotme.

Si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, vendi hebre do të lërë të lirë nga ana e tij 42 të burgosur palestinezë. Në ditën e parë të pauzës katër ditore të luftimeve mes palëve u liruan 24 pengje mes të cilëve 13 izraelitë, 10 tajlandezë dhe një shtetas filipinas, ndërsa nga burgjet izraelite u nxorën 39 palestinezë.

Pas lirimit, pengjeve iu bë një vlerësim fillestar mjekësor dhe rezulton të jetë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata duken mjaft të lumtur që më në fund ndodhen në një vend të sigurt dhe janë mirënjohës për të gjithë kujdesin dhe vëmendjen që marrin këtu.”- shprehet Osnat Levtzion-Korach, drejtuese e qendrës mjekësore Shamir.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se janë të përkushtuar për kthimin e të gjithë pengjeve që ende ndodhen në duart e Hamasit. Në Tel Aviv, turma izraelitësh festuan këto zhvillime, ndërsa në qytetin Beituna në Bregun Perëndimor, qindra palestinezë u binin borive dhe hidhnin fishekzjarrë për të shënuar lirimin e të burgosurve palestinezë. Ndërkohë, autokolona më e madhe humanitare që nga fillimi i luftës tashmë në javën e 7, hyri në enklavë me karburant, ushqim dhe furnizime mjekësore.

Izraeli megjithatë e ka bërë të qartë se ky pushimzjarri nuk nënkupton fundin e luftës. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se pasi të përfundojë armëpushimi, do të rinisë ofensiva e saj me në fokusk shkatërrimin e tuneleve të shumta të grupit militant. Hamasi ka një rrjet masiv tunelesh nëntokësore në Gazë, që i lejon grupit të transportojë armë, furnizime, por edhe lëvizjen e luftëtarëve të tij.

Top Channel