Xabi Alonso në një intervistë për TNT Sports vlerësoi sezonin e Bayer Leverkusenit, që kryeson Bundesligën dhe konsiderohet ndër favoritet për ta fituar titullin kampion, që do të i pari në histori.
“Jemi të vetëdijshëm për pritshmëritë që po krijohen, por nuk duam të përfshihemi shumë. Ne fokusohemi vetëm në atë që mund të bëjmë. Le të shohim nëse bëjmë mjaftueshëm për ta merituar këtë mundësi (për të fituar Bundesligën), por është ende shumë herët.”
Spanjolli shpjegoi pak edhe filozofinë e tij:
“Mendoj më shumë në periudha të shkurtra, p.sh., pas kësaj pauze, do të kemi 8 ndeshje deri në pushimin dimëror. Ky është fokusi im tani.”
Trajneri 41-vjeçar, i cili e përfundoi karrierën e tij si lojtar te Bayerni i Mynihut, beson se “sfida më e madhe aktuale nuk është Bayerni, është ajo që “Aspirinat” mund të bëjnë dhe sa larg mund të shkojnë”.
Prandaj, Alonso thotë gjithashtu se objektivi është ruajtja e konsistencës në rezultate dhe performanca.
“Mund të ndodhin shumë gjëra dhe nuk do të jem unë ai që do të rrisë presionin duke folur për këto pritshmëri”, shtoi ai, duke e mbyllur: “Pas 25 raundesh do të flasim. Në 10, 8 ndeshjet e fundit të Bundesligës do të shohim se si jemi.”
Sezoni aktual ka qenë afër perfeksionit: në të gjitha garat, skuadra ka fituar 16 nga 17 ndeshjet që ka luajtur, duke shënuar 59 gola dhe duke pësuar vetëm 14. /Supersport
Top Channel