Teksa qasja në karburant dhe burime të tjera zvogëlohet në Gaza, “shpërthimet masive të sëmundjeve infektive dhe urisë duken të pashmangshme” paralajmëroi të enjten Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.
Një shterim total i rezervave të karburantit “do të ishte katastrofik në të gjithë Gazën, duke çuar në kolapsin e plotë të ujit, ujërave të zeza dhe shërbimeve thelbësore të kujdesit shëndetësor, dhe duke i dhënë fund rrjedhës së ndihmës humanitare që është lejuar deri më sot”, tha Türk gjatë një konference informale të enjten, pas vizitës së tij në Lindjen e Mesme javën e kaluar.
UNICEF tha të martën se tashmë ka marrë raporte për rritje të nivelit të dehidrimit dhe më shumë se 30,000 raste të diarresë në Gaza.
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut kritikoi intensifikimin e dhunës dhe diskriminimin e ashpër kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor. Türk tha se thirrjet e zyrës së tij për de-përshkallëzimin e dhunës, veçanërisht në Gaza, janë injoruar.
“Ka pasur një prishje të respektit më themelor për vlerat njerëzore. Vrasja e kaq shumë civilëve nuk mund të konsiderohet si dëm kolateral. Fituesi i vetëm i një lufte të tillë ka të ngjarë të jetë ekstremizmi dhe ekstremizmi i mëtejshëm,” tha ai.
Top Channel