Piers Corbyn vëllai i ish-kreut të partisë laburiste në Britani ka trazuar sërisht ujërat në opinionin vendas duke pretenduar se sulmet e 7 tetorit nga Hamas në Izrael ishin një operacion i inskenuar nga Izraeli, ndërsa vëllai i tij Jeremy refuzonte të quante Hamas ‘grup terrorist.’
76-vjecari u pyet nga një organizatë kundër antisemitizmit për opinionin e tij mbi sulmet e Hamas më 7 tetor në Izrael ku u vranë më shumë se 1300 njerëz kryesisht civilë, përfshi dhe spektatorë në një festival muzikor.
Pamjet video kanë treguar civilë që qëlloheshin me armë e me thikë, ose duke u torturuar. Sulmi solli bombardimet masive të Izraelit në Gaza dhe tashmë pushtimin tokësor ku kanë vdekur më shumë se 11 000 palestinezë.
Por i pyetur për sulmin, Piers tha: “Unë dyshoja që prej fillimit nga pamjet e publikuara. Dyert e barrierave ishin të hapura që militantët të hynin dhe më pas të dilnin si të donin. Prandaj gjithçka është bërë me pranimin e qeverisë së Izraelit, që ta përdorte këtë si pretekst për çfarëdo që të bënte më vonë”.
Vëllai i ish-krye-laburistit vijonte më tej: “Njerëzit humbën jetën si pasojë e kësaj, sepse qeveria izraelite donte që kjo të ndodhte. Ishte një operacion i inskenuar (false flag) sepse ata i lejuan vetë të hynin këta ushtarë”.
Piers tha më tej se “vrasjet e bebeve nuk kanë ndodhur” ndërsa pengmarrjet e izraelitëve, mes të cilëve kishte dhe fëmijë, janë realizuar me anë të aktorëve të paguar, shkruan e përditshmja Daily Mail.
Ai sugjeroi më tej se Izraeli ka pushtuar Gazën “për naftë” dhe e krahasoi ‘7 tetorin’ me sulmin e Pearl Harbour në Luftën e Dytë Botërore – për të cilin gjithashtu tha se ka qenë i rremë.
Intervistuesit i quanin komentet e Piers Corbyn ‘groteske’ ndërsa gazetari i njohur britanik Piers Morgan, tha se ai ishte fajtor për ‘ antisemitizëm të gradës më të ulët’.
Ndërsa vëllai i Jeremy refuzonte të përgjigjen nëse Hamas ishte një grup terrorist në një intervistë televizive me Morgan, i cili e pyeste për pjesëmarrjen e tij në marshimet pro-Palestinë në Londër.
Kur ish-krye-laburisti Corbyn u pyet nëse Hamas është një grup terrorist, tha:
“Unë nuk aprovoj apo mbështes Hamas”, ndërsa nuk pranonte sugjerimet e bashkëbiseduesve.
Prezantuesi Morgan i tha më tej se ky qëndrim i tij bënte njerëzit të mendojnë se kishte një problem me hebrejtë.
Intervista është publikuar në faqen e Piers Morgan Uncensored në rrjetin X.
Jeremy Corbyn ishte mes të paktën 300,000 protestuesve pro-Palestinë që marshuan të shtunë në Londër.
Ai kishte njoftuar më herët se do të dilte të protestonte kundër bombardimeve të Izraelit në Gaza.
Në fjalën e tij në protestë mes te tjerash Corbyn tha: “Kur ministri ynë i brendshëm mbjell përçarje duke i quajtur këto protesta kundër bombardimve ‘marshime urrejtjeje’, është më e rëndësishme se kurrë të mbrojmë të drejtën e protestimit dhe të rrugës paqësore përpara”.
Top Channel