Burri pret burgun kur fqinja ‘e fiksuar’ e akuzon se ‘e persekuton dhe i shkeli lulet me makinë’ në Angli (fotot)

13/11/2023 15:32

Burrit i thanë se mund të dënohej me 6 muaj burg kur fqinja e tij e akuzoi se parkoi makinën mbi lulet e saj në periferi të Liverpool.

Punonjesi i ndërtimit akuzohej gjithashtu se kishte ecur së prapthi kërcënueshëm me furgonin e tij të punës dhe ndërkohë “fishkëllentë një këngë ofenduese” ndaj gruas që dëgjonte.

Policia i tha se përballej me gjashtë muaj burg për sjelljen e tij por cështja u refuzua nga gjykata që vlerësoi se nuk kishte prova për shkelje.

36 vjeçari James Monk, akuzohej nga fqinja Karen Chazen se kishte drejtuar kërcënueshëm makinën e tij të punës dhe kishte parkuar në mënyrë “antagoniste” mes debatit të tyre në Waterloo, Liverpool, në veriperëndim të Anglisë.

54 vjeçaja Chazen, thotë gjithashtu se punonjësi e kishte provokuar duke kënduar një këngë klasike të Roy Orbison si dhe se kishte sabotuar internetin e saj, mes rreth 30 ankesave që ajo kishte bërë në polici.

Ajo denoncoi në polici se James e kishte tallur duke fishkëllyer këngën e Orbison të viteve 1960 ”Only the Lonely” (Vetëm të vetmuarit) duke iu referuar faktit që ajo ishte e pamartuar.

Në një tjetër ankesë ajo deklaronte se James kishte ndërhyrë me sistemin e mbylljes së makinës së saj Fiat 500 duke lejuar që vjedhësit të merrnin sendet e saj brenda.

James u përball me akuzat dhe doli para gjykatës së Sefton por çështja rrjedhimisht u refuzua kur u zbulua se zonjusha Chazen kishte bërë një seri ankesash të pabaza ndaj një numri të konsiderueshëm njerëzish, kryesisht punonjës e fqinjë në afërsi të shtëpisë së saj.

Kjo solli gjithashtu që James të zhvendosej nga shtëpia e tij bashkë me gruan.

Ata kishin jetuar prej dhjetë vjetësh në apartamentin e tyre por problemet kishin nisur që kur zonjusha Chazen u vendos poshtë tyre në 2022.

Zonjusha Chazen, e cila përlotej duke dhënë dëshminë, shtonte se detyrohej të largonte kazanët e mbeturinave të fqinjëve pasi i linin pranë banesës së saj.

Ajo tha se ishte ankuar te kompania e menaxhimit të mbeturinave por më pas pretendonte se  James kishte shtyrë një kazan drejt shtëpisë së saj qëllimisht.

Ajo tha se James kishte parkuar furgonin e tij të punës para dritares së saj dhe pasi e parkonte “kishte shkelur gazin 10 apo 20 herë” kur kthehej nga puna.

Policia foli me ankimuesit dhe sugjeroi që dyshja të nisnin ‘sesione meditimi’.

Zonja Chazen ankohej: “Sjellja e tij bëhet gjithnjë e më e egër, më ka thirrur me emra ofendues, i ka rënë derës për të më intimiduar, ishte një sjellje e zakonshme”.

Duke refuzuar çështjen gjykatësi JP Charles Wood tha: “Duhet të verifikojmë vërtetësinë e ankesave pasi ankimuesja nuk ka qenë koherente në dëshmitë e saj dhe disi konfuze. Ne nuk mendojmë se prokuroria ka siguruar të gjitha elementët e provave”.

Zoti Monk dhe zonjusha Chazen kanë refuzuar të komentojnë pas mbylljes së çështjes.

FOTO GALERI
2/5
Policia i tha se përballej me gjashtë muaj burg për sjelljen e tij por cështja u refuzua nga gjykata që vlerësoi se nuk kishte prova për shkelje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA