Hugh Jackman mesazh prekës për vdekjen e Patrick Stewart: Do të më mungosh gjithë jetën

30/10/2026 18:46

Aktori i njohur Hugh Jackman ka reaguar me një mesazh emocionues pas ndarjes nga jeta të aktorit legjendar Patrick Stewart, i cili ndërroi jetë më 28 tetor, në moshën 86-vjeçare, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit.

Jackman, i cili interpretoi personazhin e Wolverine përkrah Stewart në filmat e sagës “X-Men”, publikoi në Instagram disa fotografi të tyre së bashku, ku shfaqen duke u përqafuar.

Në mesazhin e tij, aktori shprehu dhimbjen për humbjen e mikut dhe kolegut, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të mëdha të teatrit dhe ekranit.

“Sot humbëm një nga më të mëdhenjtë e teatrit dhe ekranit. Dhe, për mua, një mik dhe njeri të shkëlqyer. Mësova shumë prej tij. Do të më mungosh, Patrick Stewart, gjatë gjithë ditëve të jetës sime”, shkroi Jackman.


Homazhe për aktorin ndau edhe 95-vjeçari William Shatner, me të cilin Stewart bashkëpunoi në universin e “Star Trek”. Shatner publikoi një fotografi ku dy aktorët shfaqen duke buzëqeshur me njëri-tjetrin, shoqëruar me një mesazh prekës.

“Çfarë jave zemërthyese ka qenë kjo”, shkroi ai, duke iu referuar edhe vdekjes së aktorit Walter Koenig, i cili u nda nga jeta më 25 tetor, në moshën 90-vjeçare.

Në vijim, Shatner vlerësoi kontributin artistik dhe njerëzor të Stewart, duke theksuar se ai solli inteligjencë, hijeshi dhe humanizëm në çdo rol që interpretoi.

“Sir Patrick Stewart ishte një mik, një koleg dhe një aktor i mrekullueshëm. Komandanti Picard përfaqësoi më të mirën prej nesh, dhe kështu bëri edhe njeriu që e luajti. Kisha dashuri dhe admirim të madh për të dhe punën e tij. Zemra ime është me Sunny-n dhe familjen e tij. Ai do të na mungojë shumë”, u shpreh Shatner.


Vdekja e Patrick Stewart ka prekur kolegët dhe fansat e tij në mbarë botën, ndërsa homazhet e aktorëve me të cilët ndau ekranin dëshmojnë gjurmën që ai la, jo vetëm në kinematografi dhe teatër, por edhe te njerëzit me të cilët punoi.

Top Channel