Në 6-mujorin e parë të këtij viti numri i personave që trajtohen me pension pleqërie, u rrit me gati 23 mijë më shumë se në të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Këto ishin ritmet më të larta të rritjes në dy dekadat e fundit. Në vend janë rreth 500 mijë njerëz që trajtohen me pension pleqërie. Në këtë periudhë po del në pension brezi i “baby boom”, (të lindur në vitet 1960-1970) shumica e të cilëve punuan në vitet e tranzicionit dhe kanë probleme me përmbushjen e kushteve për pension të plotë.
Shumë shpejt të moshuarit që aktualisht jetojnë në varfëri dhe në mungesë perspektive do të jenë gjenerata e së ardhmes. Me këto ritme mosha e tretë shumë shpejt do të përbëjë 30% e popullsisë së vendit.
“Po kthehet në një gangrenë të pariparueshme shtimi i popullsisë së moshuar dhe largimi i popullsisë së re. Emigracioni shqiptar nuk është vetëm masiv, por është emigracioni i të rinjve, madje i të rinjve që riprodhohen në emigrim, jo në Shqipëri. Shtimi i popullsisë së moshuar kushtëzohet edhe nga fakti se në thelb është rritur mosha mesatare e popullsisë dhe pensionistët jetojnë më gjatë se më parë, ndaj dhe numri i tyre shtohet vazhdimisht. Zgjidhja janë politika dhe shumë incentiva të cilat stimulojnë qëndrimin e të rinjve në vend dhe frenimin e të rinjve, pasi perspektiva e vendit janë të rinjtë. Janë mbi 60 mijë pensionistë që aktualisht punojnë, por kjo nuk është zgjidhje afatgjatë e situatës, por një lehtësim i sforcuar. Natyrisht ata punojnë pasi kanë përvojë të mjaftueshme profesionale dhe e kanë një zgjidhje të nevojshme në kushtet kur pensionet janë shumë të ulëta dhe nuk mjaftojnë për të bërë një jetë dinjitoze si pensionistë.”-shprehet sociologu Edmond Dragoti.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit që ekuilibri mes personave që dalin në pension dhe bebeve që lindin, po zhbalancohet përditë e më shumë. Nëse në 6-mujorin e parë të këtij viti, 23 mijë persona dolën në pension, në të njëjtën periudhë rreth 10 mijë fëmijë erdhën në jetë.
Top Channel