Përplasja me armë në Kepin e Rodonit e paralajmëruar nga Fiksi, institucionet heshtën/ Edhe një deputet i përfshirë?

30/10/2023 20:40

Fiks Fare paralajmëroi në 2 tetor përplasjen për pronat në Kepin e Rodonit. Mungesa e veprimeve të institucioneve shtetërore, ka sjellë agravimin e situatës, teksa u përdorën edhe armë.

Një ish deputet u ndalua nga policia e një deputet aktual po verifikohet nga organet ligjzbatuese …

Fiks Fare denoncoi para disa javësh veprimet e disa individëve që po rrethonin një pronë në hyrje të parkut të Kepit të Rodonit. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua z. Bajram Kaçuli nga fshati Shetaj. Ai denoncoi se pronën e tij me certifikatë pronësie të përfituar me ligjin 7501 po ia zaptonin persona të tjerë të cilët hiqeshin si përfaqësues të të Kishës Françeskane edhe këta të pajisur me certifikatë pronësie.

Por, ata vepronin me një leje të një firme tjetër dhe për më tepër të pezulluar. Asnjë prej institucioneve nuk ndërhyri, deri ditën kur shkoi Fiks Fare dhe konstatoi se për të njëjtën pronë kishte dy pronarë. Madje, me dy certifikata pronësie për të njëjtën sipërfaqe.

Fiksi kontaktoi në fillim të tetorit me disa punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Durrës, të cilët thanë se “do të pezullojmë vendimin për rrethimin”.

Pra, leja e rrethimit të pronës ka qenë e pezulluar. Sipas dokumenteve, të lëshuara nga Bashkia e Durrësit, leja ka dalë me emrin e firmës “Albania Turist Resort”. Por, përfaqësuesja e kësaj firme, Ana Shtjefni, tha në atë kohë për Fiks Fare se ka kërkuar pezullimin e kësaj leje, pasi nga një letërkëmbim me Kadastrën ka rezultuar se sipërfaqja e rrethuar ishte e z. Bajram Koculi.

Znj. Shtjefni tha se “të gjithë volumet e pasurive te Kepi i Rodonit, që përfshijnë edhe rrugën e Pyllin, janë sekuestruar nga SPAK në Kadastër”.

Ka dyshime se janë kthyer në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, administratorja e kësaj kompanie pohoi për Fiks Fare se edhe rruga shtetërore është privatizuar para 18 muajsh.

Me gjithë këto paralajmërime dhe shkresa, asnjë prej institucioneve nuk vepruan, duke lejuar ligjin e xhunglës. Ditën e diel, më datë 29 tetor 2023, disa persona shkuan në atë pronë për ta rrethuar.

Ata u përplasën me banorët, njëri prej të cilëve ishte edhe Bajram Kaçuli. Në atë përplasje janë dëmtuar disa persona, ndërkohë që është qëlluar edhe me armë. Në prangat e policisë u vendosën tetë persona midis tyre dhe ish deputeti Mark Frroku, Bajram Kaçuli, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.

Ndërkohë, krahas këtij njoftimi, Fiks Fare ka mësuar se interes në gjithë këtë konflikt kanë edhe ndërtuesit e një resorti shumë pranë pronës së z. Kaçuli. Familja e këtij të fundit ka edhe një pronë tjetër në afërsi të Detit Adriatik, e cila është kërkuar nga disa individë dhe firma për të bërë një mol, për dalje në det.

Banorët thanë për Fiks Fare se në zonë, te kompleksi që po ndërtohet, është parë edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas organeve ligjzbatuese, roli i këtij deputeti po verifikohet dhe, nëse do të ketë ndonjë veprim për konfliktin apo zaptimin e pronave, do të vijohet me hetime të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA