Qeveria izraelite tha se tashmë forcat tokësore elitë të ushtrisë kanë nisur një operacion duke avancuar disa kilometra në brendësi të veriut të Gazës.

E si pasojë e kësaj ofensive tokësore, për më shumë se 48 orë telefonia celulare dhe interneti u ndërprenë, për t’u rikthyer mesditën e kësaj të diele.

Palestinezi Abdalla Jaber i cili ndodhet në Jug të Gazas, i dërgoi Top Channel një video, ku tregon se si ai me bashkëshorten një vajzë shqiptare nga Korça dhe dy djemtë, mbrohen nga bombardimet ajrore dhe shpjegon, si e përllogarisin largësinë e shpërthimit të bombave, lëshuar prej avionëve izraelit.

Tani fillojnë bombardimet pa pushim. S’ka drita. Për ta kuptuar fiks se ku mbërrijnë bombat ne kemi mundësi të llogarisim distancën. Kur shikojmë dritën numërojmë……4 sekonda, pesë herë 360 janë gati dy kilometra larg nga këtu. Nuk durohet zhurma që ka. Tani këto bomba nuk janë sipër kokës së Hamas por janë sipër kokave brenda njerëzve nëpër shtëpi që janë duke fjetur gjumë. Ky është Izraeli”- u shpreh palestinezi Abdalla Jaber.

I pyetur nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu për këtë situatë të re tashmë me hyrjen e trupave tokësore të ushtrisë izraelite, Abdalla Jaber nga Gaza thotë.

“Në në fakt nuk e kemi kuptuar fare që forcat tokësore të ushtrisë janë futur. Vetëm kuptojmë që ka diçka po ndodh dhe e gjithë kjo luftë nuk është normale. Është shumë shumë e egër. Një natë ishte shumë shumë e egër. Hidhen bomba nga avionët F16. Pa mundësi telefonatash. Pa asnjë gjë.  Ishte një natë e tmerrshme. Në fakt dy netë që janë tmerr. Sot ne do ta kuptojmë se cfarë është bërë”- u shpreh Jaber.

Abdalla tregon vështirësinë personale dhe të tjerve si pasojë e mungesës të mediakamenteve.

“Gaza është në një gjendje shumë të vështirë. Unë jam në ditën e pestë me Corona Virus. Falë Zotit po e kaloj. E gjithë shtëpia këtu janë me Corona. Fëmijët edhe pleqtë janë të sëmurë. Falë Zotit dëmi nuk është i madh por kemi vuajtur. Kemi mungesë ujë, mungesë në ushqime. Mungesë për të gjitha”- tha Abdalla Jaber.

Abdalla Jaber nuk e shikon zgjidhjen as tek Hamasi dhe as tek Izraeli.

“Presim nga Zoti të na ndihmojë të dalim nga kjo gjendje. Presim nga fuqitë e mëdha të botës për ta eleminuar këtë zullum që po i ndodh palestinezëve në tokën e tyre”- përfundoi Jaber.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA