Një 15-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, gjatë vijimit të megaoperacionit “Tempulli”, pasi shpërndante drogë.
Adoleshenti edhe pse nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për të njëjtën vepër, u shiste dy 17-vjeçarëve kanabis.
15-vjeçari, i proceduar penalisht 9 herë më parë u arrestua nga Policia më datë 4 tetor në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.
Dy gjimnazistët, të cilët u kapën në banesën e arrestuarit duke blerë doza kannabisi janë vënë nën hetim.
“Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, si dhe i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë, për të garantuar që fenomenet kriminale të mos depërtojnë në shkolla, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrolleve në banesën e një 15-vjeçari, në lagjen “11-janari” (ku ky shtetas vuante masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, sepse ishte arrestuar nga Policia, me datë 4 tetor, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”), ky shtetas u kap në flagrancë duke iu shitur 2 gjimnazistëve 17-vjeçarë, doza të lëndës narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua 15-vjeçari, u proceduan në gjendje të lirë dy 17-vjeçarët, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje“, sipas policisë.
Policia shton se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme për të akuzuarit.
Top Channel