Fundi i muajit Tetor do të shënonte edhe përfundimin e procesit të Censit të Popullsisë dhe të Banesave, por drejtuesja e Institutit të Statistikave INSTAT, zonja Elsa Dhuli, doli me një njoftim për mediat, ku lajmëroi se Censi do të shtyhet edhe 2 javë, dhe përmbyllet në 15 nëntor 2023.
Kjo pasi rreth 3% e zonave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ende nuk janë numëruar, për këtë arsye në disa zona të disa bashkive të vendit, mbledhja e informacionit në kuadër të Censit do të vazhdojë deri në datën 15 Nëntor 2023.
Elsa Dhuli tha se shkaqet e këtij vendimi janë:
– Rikontaktimi më shumë se 3 herë në banesat pa kontakt, refuzimet apo distancat e largëta.
– Ndërtimet e reja dhe ato në zonat e prekura nga tërmeti, që janë identifikuar gjatë punës në terren nga anketuesit e INSTAT. Ky proces vazhdimësie nënkupton mbulim të plotë të territorit nga ky aktivitet. Bëhet fjalë për zona në Tiranë, Durrës, Kurbin, Krujë.
E pyetur nga Top Channel nëse deri më tani janë vendosur gjoba për deklarime të rreme, drejtuesja e INSTAT u përgjigj: “Deri tani nuk janë vendosur penalite. Pasi të mbyllet i gjithë procesi dhe të identifikohet numri i refuzimeve, atëherë do të studiohen dhe analizohen masat paraprake.”
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.
Top Channel