Nxënësi dhunoi mësuesen në Lezhë/ Manastirliu: Ngjarje e rëndë që duhet të na bëjë të reflektojmë

25/10/2023 17:30

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, në një reagim për ngjarjen e sotme në Lezhë, ku një nxënës dhunoi mësuesen, thotë se duhet më shumë angazhim për forcimin e mekanizmave institucionalë.

“Jam shumë e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e sotme në shkollën “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës, një ngjarje totalisht e papranueshme dhe e patolerueshme, ashtu siç është i papranueshëm çdo akt dhune, në mjediset tona të mësimdhënies.

I jam pranë mësuese Majlindës në këto momente dhe i uroj shërim sa më të shpejtë.

Kjo ngjarje e rëndë duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të angazhohemi edhe më shumë për forcimin e mekanizmave institucionalë, për mbështetjen psiko-emocionale të nxënësve, komunikimin efektiv, rritjen e ndërgjegjësimit në shkollë, në familje, në komunitet, me qëllim që të garantojmë një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe mësuesit tanë.

Na takon të gjithëve si shoqëri, të kontribuojmë për fuqizimin e trinomit aq shumë të rëndësishëm, mësues-nxënës-prind, për të garantuar respektin e merituar për figurën e mësuesit dhe një mjedis sa më të shëndetshëm e të sigurt në shkolla, në mënyrë që institucionet arsimore si vatrat e dijes të garantojnë arsim cilësor, dhe të edukojnë e të përgatisin brezin e ri, me vlerat më të larta të kulturës dhe qytetarisë”.

Nxënës goditi me karrige mësuesen në gjimnazin e qytetit “Hydajet Lezha”, Majlinda Palushin.

Sipas nxënësve ka pasur një debat mes 16 vjeçarit dhe mësueses së matematikës, ku sipas tyre, në debat e sipër i ka përmendur të atin i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë.

Kjo e ka acaruar adoleshentin duke ndërmarrë veprimin ekstrem duke e goditur me karrige. Kanë qenë shokët e klasës të cilët menjëherë kanë ndërhyrë dhe kanë njoftuar mësuesen kujdestare. Menjëherë mësuesja është dërguar në spitalin e Lezhës ku ka marrë dhe mjekimin e nevojshëm, ndërkaq 16 vjeçari është shoqëruar në ambientet e komisariatit për të sqaruar situatën e ndodhur gjatë orës së mësimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA