Për herë të parë gjatë këtij viti qeveria ndryshoi buxhetin me një akt normativ duke rishpërndarë 46 miliardë lekë.

Pjesa më e madhe shkoi si rialokim për projektin e rindërtimit nga 5 miliardë në 17 miliardë. Janë tashmë mbi 900 milion euro të angazhuara për këtë proces. Sipas ekspertëve lëvizjet duhet të vijnë së bashku me transparencën.

“Nëse ka nevojë për fonde për rindërtimin, çështja është që të jetë e qartë për çfarë po jepen dhe si po jepen, sa shtëpi do ndërtohen. Nuk dihet ende se sa shtëpi janë përfunduar dhe me sa ka qenë metri katror”, tha eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho.

Nga ndryshimet kryesore në buxhetet e ministrive, ajo çfarë ra në sy ishte ulja me 3 miliardë lekë e fondeve të Shëndetësisë për shërbimin parësor dhe dytësor, gati 23% më pak se një vit më parë.

“Një shëndetësie me pak fonde i heqim edhe më shumë fonde, pyetja ime është duhet parë nëse po i bëjmë nder privatëve të caktuar apo jemi duke reformuar shërbimet. Qytetarët po varfërohen, sepse nëse shteti nuk të jep shërbimin, ti je i detyruar ta marrësh shërbimin tjetërkund dhe kjo në mënyrë indirekte është një taksë mbi shëndetin”, tha Spaho.

Qeveria përfitoi edhe nga rritja e pagës minimale dhe pagës mesatare gjatë këtyre 9 muajve. Subvencionet që jepen nga buxheti për deficitin e skemës së pensioneve është ulur me 15 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e këtyre lekëve, gati 8 miliardë apo 55% u dërguan tek projektet rrugore.

“Nuk është problem rialokimi i fondeve, por varet se çfarë do të bëhet me këto para. Akoma nga Shkodra në Vlorë ne nuk kemi një autostradë të mirëfilltë, gjithashtu në Durrës- Tiranë po ecet me dy korsi dhe nuk ka standardin e një autostrade. Këto dy akse janë shtylla të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe nuk kemi asnjë angazhim konkret në këtë drejtim”, theksoi Spaho.

Ndërkohë një tjetër angazhim i qeverisë me aktin e ri normativ ishte ulja e borxhit publik dhe mbajtja e pandryshuar e deficitit buxhetor.

Objektivi është që të arrijë nivelin 60% ndaj PBB, në kushtet kur pagesat për interesat e borxhit të brendshëm u rritën me 4 miliardë lekë apo 40 milionë euro, si shkak i rritjes së normave të interesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA