Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim në parlament Ligjin për Shtetësinë.
Në arsyetimin për kthimin e ligjit, Presidenca argumenton se amendamentet nuk moren 84 votat siç parashikon Kushtetuta.
“Në analizë të Kushtetueshmërisë, shtesat dhe ndryshimet ligjore të përcjella për shpallje, janë pjesë e ligjit nr.77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë””, që sipas nenit 81, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, miratohet me shumicë të cilësuar prej 3/5 të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, minimalisht 84 vota.
Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.
Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara”- thuhet në arsyetimin e Presidencës.
Për nga përmbajtja, Presidenca ka vlerësuar pozitivisht ligjin, duke theksuar se dispozitat e reja nuk bien në kundërshtim me dispozita substanciale të Kushtetutës.
“Dispozitat e ligjit kryesisht krijojnë lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, masa dhe lloji i të cilave është në gjykimin sovran të Kuvendit. Gjithsesi, këto lehtësira vlen të analizohen edhe në kontekstin e Konventës Evropiane për shtetësinë, e cila është konventë e Këshillit të Evropës, si dhe në kontekstin e raportit që krijojnë me parimin e barazisë para ligjit”– argumenton Presidenca.
Ligji nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë””, ka pasur qëllim vendosjen e një numri lehtësish për kategori të caktuara personash. Nga kategoritë e përfshira në të nuk gjejnë mbështetje në dispozitat e Konventës:
1. Neni 1 i ligjit nr.77/2023 parashikon se, një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve. Kjo kategori e ka referencën tek shkronja “e” e pikës 4 të nenit 6 të konventës, por dispozita referuese kërkon rezidencë të ligjshme dhe të vazhdueshme dhe këtë nuk e kërkon për prindërit, por për subjektin e të drejtës (fëmijën). Dispozita do ishte e pajtueshme me konventën nëse do parashikonte një afat rezidence të ligjshme dhe të vazhdueshme për vetë fëmijën.
2. Paragrafi i dytë i nenit 2 të ligjit nr.77/2023, që ndryshon pikën 3 të nenit 8 të ligjit nr. 113/2020, parashikon se, i huaji, që është i martuar me shtetas shqiptar për një periudhë jo më pak se 3 (tre) vjet, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim edhe nëse nuk plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për 1 (një) vit gjatë gjithë periudhës së martesës. Sipas pikës 3 të nenit 6 të Konventës, natyralizimi ka lidhje me rezidencën e ligjshme dhe të vazhdueshme për një periudhë të caktuar nga momenti i aplikimit. Konventa nuk i kundërvihet afatit të shkurtër një vjeçar të parashikuar nga dispozita, por ky afat duhet të përllogaritet nga momenti i aplikimit dhe jo si një periudhë çfarëdo gjatë martesës.
“Fitimi i shtetësisë me natyralizim sipas Konventës ka kusht të detyrueshëm qëndrimin në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme për një periudhë të caktuar përpara depozitimit të aplikimit. Kohëzgjatja e periudhës së rezidencës varet nga vullneti i ligjvënësit. Konventa, nga ana e saj, kërkon vetëm që kjo kohëzgjatje të mos jetë më e madhe se dhjetë vjet“- argumenton Presidenca.
“Bazuar në vlerësimin e mësipërm, rezulton se katër nga pesë amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve, në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë” përcjellë Kryetares së Kuvendit me shkresë nr. 2810 prot., datë 20.9.2023, nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”- konkludon Presidenca.
Top Channel