Izraeli në luftë, djali i Netanyahut në Miami/ Ushtarët izraelitë të revoltuar: Ai shijon jetën, ne në vijën e parë

24/10/2023 13:34

Djali 32-vjeçar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është vënë nën kritika pasi vazhdon jetën e tij të qetë në Miami, ndërsa 360,000 rezervistë izraelitë, ku shumë prej të cilëve jetojnë jashtë vendit, janë thirrur për të luftuar kundër Hamasit dhe për të mbrojtur atdheun e tyre.

Sipas Daily Mail, Yair Netanyahu ndodhet në Florida që nga prilli i kaluar, ndërkohë qindra izraelitë që ndodheshin jashtë vendit, hoqën dorë nga gjithçka, për t’u kthyer dhe për të kryer detyrën e tyre. Yair zgjodhi të qëndronte në Miami pavarësisht vështirësive dhe momenteve të tmerrshme që po përjeton vendi i tij. Ky fakt ka revoltuar disa ushtarë izraelitë.

“Ai po shijon jetën e tij në Miami Beach, ndërsa unë jam në vijën e parë”, tha një ushtar vullnetar që shërben në frontin verior për The Times. “Ne i lëmë punët tona, familjet, fëmijët tanë, për të mbrojtur popullin dhe vendin tonë, dhe ata që janë përgjegjës për këtë situatë jo”, u shpreh ai.

“Vëllezërit tanë, baballarët tanë, djemtë tanë, të gjithë shkojnë në vijën e parë, por Yair nuk është këtu. Kjo nuk ndihmon aspak për të pasur besim te lidershipi i vendit”.

Një tjetër ushtar i vendosur në kufirin e Gazës, shprehu gjithashtu pakënaqësinë e tij për mungesën e djalit të kryeministrit izraelit.

“Unë u ktheva nga SHBA-ja ku është puna, jeta ime, familja ime. Nuk kishte si të qëndroja atje dhe të braktisja vendin tim, popullin tim, në këtë moment kritik. Ku është djali i kryeministrit? Pse nuk është në Izrael?’, shprehet ushtari.

Sipas tij, të gjithë izraelitët duhet të jenë të bashkuar dhe të pranishëm në këtë moment dhe sigurisht që nuk përjashtohet edhe djali i Netanyahut.

Sipas Daily Mail, gjatë shërbimit të tij të detyrueshëm ushtarak, Yair Netanyahu kishte shërbyer kryesisht si zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.

Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve kur mbushin 18 vjeç. Burrat shërbejnë për 32 muaj dhe gratë për 24. Pas kësaj, shumica mund të thirren në njësitë rezervë deri në moshën 40 vjeç, ose edhe më të vjetër në rast të një emergjence kombëtare. Në kohë lufte, ata luftojnë përkrah trupave të rregullta.

Izraelitët jashtë vendit përdorin bisedat në grup në WhatsApp, për të organizuar kthimin e tyre. Atje ata ndajnë informacione se ku mund të gjejnë bileta, siç tha për Reuters 26-vjeçari Yediya Salman, i cili ishte në Tajlandë me gruan e tij në muajin e mjaltit, kur sulmi terrorist kundër vendit të tij.

“Ne krijuam grupe WhatsApp, ftuam njerëzit të bashkoheshin me ushtrinë izraelite dhe u përpoqëm të kthenim sa më shumë rezervistë në Izrael”, thotë ai. Përsa i përket muajit të mjaltit që iu desh ta shkurtonte, ai shpjegon se as ai dhe as gruaja e tij nuk hezituan të merrnin vendimin për t’u kthyer.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA