Komplot për të vrarë pilotët rusë me uiski dhe tortë të helmuar, ukrainasi kapet gjatë rrugës për në aeroport

23/10/2023 13:58

Një përpjekje ukrainase për të zhdukur dhjetëra pilotë rusë me tortë dhe uiski të mbushur me helm u pengua në minutën e fundit.

Kuti me uiski irlandez Jameson dhe një tortë gjigante, që kishte përbërës vdekjeprurës, thuhet se u dorëzuan në një festë, në akademinë e lartë ushtarake të fluturimit rus.

Pilotët, përfshirë dhe ata që janë në vijën e parë të konfliktit, po festonin 20-vjetorin e diplomimit të tyre në Shkollën e Lartë të Aviacionit Ushtarak Armavir.

Në total, 77 persona ishin të ftuar në festë dhe kanali Telegram Flightbomber raportoi se “të gjithë janë gjallë”.  Sipas kësaj media, pavarësisht se torta që peshonte 20 kg ishte ndarë në pjesë të vogla, ajo nuk ishte konsumuar. Të ftuarit në këtë festë ishin pilotë nga klasa e vitit 2003, shumë prej tyre pas viteve karrierë ushtarake janë dekoruar dhe mbajnë grada të larta.

Pilotët kërkuan të zbulonin identitetin e atentatorit të dyshuar dhe stafi i akademisë gjeti pamjet e CCTV-së të dërguesit. Ai u gjurmua shpejt dhe nga baza e të dhënave të përpunuara dhe njohjes së fytyrës të Rusisë,  u zbulua se ishte nga Melitopol-i në Ukrainën e pushtuar. U raportua se ai ishte përpjekur të dilte me shpejtësi nga akademia dhe ishte drejtuar për në aeroportin e Stavropolit, në një përpjekje për të ikur nga Rusia.

Burri i identifikuar si 32-vjeçari E. Semenov, u arrestua dhe pranoi se ishte ai personi që kishte hedhur helmin tek uiski dhe torta. Kanali Telegram Flightbomber fajësoi inteligjencën ushtarake ukrainase për përpjekjen për të zhdukur dhjetëra pilotë rusë.

Sipas medias ruse, autori ka pranuar helmimin, e dinte numrin e të ftuarve dhe se ku do të zhvillohej festa. Dyshohet se autori e ka porositur tortën nga një ëmbëltore vendase në Armavir, në rajonin e Krasnodarit.‌

“Oficerët për shkak se po argëtoheshin shumë e lanë mënjanë tortën dhe pijet alkoolike, ndaj nuk patën kohë t’i konsumonin. Do të kishte qenë një fatkeqësi, sepse ishin 77 persona të ftuar, por të gjithë fatmirësisht janë gjallë. GUR (inteligjenca ushtarake ukrainase) dështoi”, shkruajnë mediat ruse.

Nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga forcat ruse të zbatimit të ligjit për helmimin e supozuar.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel