Irani nuk mjaftohet vetëm me sulme ndaj Izraelit, shënjestron bazat amerikane në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar Liderët botërorë janë mbledhur në Kajro të Egjiptit për një takim të nivelit të lartë që synon shtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme, ku konflikti mes Hamasit e Izraelit rrezikon gjithmonë e më shumë përhapjen në rajon.
I pagëzuar si “samiti paqes”, ai ka bërë bashkë përfaqësues nga mbi një duzinë vendesh përfshirë Jordaninë, Francën, Rusinë, Kinën, Anglinë, Italinë, Shtetet e Bashkuara e Katarin, përpos OKB-së e BE-së.
Presidenti egjiptjan ABDEL FATTAH AL-SISI, përsëriti deklaratën e tij të prerë se Egjipit i kundërvihet rreptësisht idesë së një shpërnguljeje të detyruar të palestinëzëve dhe eksodit masiv të tyre drejt gadishullit të Sinait. Kreu i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas paralajmëroi edhe ai për rrezikun e zhvendosjes së popullit të vet.
“Përpjekjet për të zhvendosur njerëzit tanë nga Gaza janë shumë të rrezikshme. Ne paralajmërojmë gjithashtu edhe ndaj dëbimit të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor apo Jeruzalem. Ne nuk kemi për t`i pranuar shpërnguljet e detyruara, por do të qëndrojmë aty në tokën tonë, pavarësisht sfidave me të cilat do të përballemi.”
Al Sisi i ftoi pjesëmarrësit e samitit të arrijnë marrëveshje për një plan, përmes të cilit t`i jepet fund katastrofës humanitare në Rripin e Gazës, si edhe për të ripërtërirë rrugën drejt paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Objektivi fillestar i këtij udhërrëfyesit sipas tij, përveç ndihmave për Gazën, do të jetë dhe arritja e një armëpushimi, të ndjekur nga negociatat që të çojnë drejt një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit të hershëm, asaj përmes dy shteteve.
Top Channel