Video/ E pazakontë në Barcelonë, 5 persona të maskuar si policë rrëmbejnë një burrë në mes të rrugës, dyshohet për konflikt mes grupeve kriminale

21/09/2026 20:21

Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse u regjistrua të shtunën pasdite në një nga rrugët kryesore të Barcelonës, ku pesë persona të maskuar si oficerë policie rrëmbyen një burrë në mes të trafikut.

Dëshmitarë dhe drejtues automjetesh u përballën me skenën, ndërsa autorët e maskuar e paraqitën veten si policë, duke bërë që dëshmitarët të mos e kuptonin menjëherë se bëhej fjalë për një rrëmbim.

Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë pesë personat, të veshur me jelekë reflektues të ngjashëm me ata që përdoren nga policia spanjolle dhe të armatosur, teksa dalin nga një automjet.

Sipas raportimeve, automjeti i tyre ishte përplasur më herët me një makinë tjetër, duke e detyruar atë të ndalonte. Më pas, pesë personat nxorën me forcë nga sedilja e pasme një burrë, i cili kishte gjak në fytyrë, dhe e futën në automjetin e tyre.

Drejtoria e Hetimeve Penale (DIC) e Mossos d’Esquadra ka marrë përsipër hetimin për identifikimin e pesë personave të përfshirë dhe për zbardhjen e marrëdhënies së tyre me burrin e rrëmbyer.

Motivi i rrëmbimit ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të lidhet me një mosmarrëveshje mes grupeve kriminale.

Top Channel