Çështja e Fredi Belerit/ Ngjela nxjerr sekretin: Ja çfarë më thanë krerët e Omonias… Synimi i grekëve, Himara

20/10/2023 18:16

Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se politika greke pati interes ta frynte sa më shumë çështjen e Fredi Belerit, një person që garonte për kryesimin e një qyteti të vogël në Shqipëri, pasi pikësynimi i saj është Himara.

Sipas Ngjelës, pas suliotëve që kishin një frymë të theksuar patriote, vetëm Kurveleshi dhe Himara i kanë mbetur Jugut. I ftuar në “Top Talk”, avokati nënkuptoi se me marrjen e Sulit, nëse Greqia ushtron autoritetin e saj edhe në këto dy zona, shkëputet nga Shqipëria një pjesë e mirë e Jugut.

Ngjela tha se ky informacion është konfirmuar nga vetë krerët e Omonias, të cilët të mërzitur i thanë se qeveria greke nuk pyet fare për ta si minoritar, por gjithmon synimi i saj është Himara. Avokati Ngjela, dhe më pas analisti Aleksandër Çipa, konfirmuan se në vitet ’40 numri i personave që flisnin greqisht në Himarë numërohej me gishtat e dorës, aqsa ishte e pamundur të flitej për persona me kombësi greke.

Sipas Ngjelës, Himara është kryeqendra e labërisë dhe nuk ka asnjë lidhje me minoritetin grek. Faji, tha avokati, është i Sali Berishës që i shpalli minoritarë kur ata as nuk e kishin kërkuar ndonjëherë më parë të drejtën e minoritetit.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Greqia e rrit më shumë vlerën e një personazhi si Fredi Beleri dhe pse i intereson kjo? Madje edhe drejtësia shqiptare me mënyrën se si ka vepruar me këtë personazh, po e bënë të ketë më shumë valencë seç duhet? Pse shpiken personazhe të tillë në Shqipëri, sidomos kur vjen puna tek çështjet e minoritetit grek?

Ngjela: Greqia një çështje gati ordinere e ktheu në një çështje të nivelit të lartë politik. Këtë e bëjnë zakonisht diktaturat ose qeveritë që janë nën nivelin elektiv të politikës moderne, ose të politikës aktuale në perëndim.

Pra kanë rënë brenda. Por, pse? Ç’i duhet duhet kryeministrit grek nëse një preson ka dalë apo jo kryetar bashkie i një qyteti të vogël? Kush e kupton këtë? Po të shkosh në biseda politike të niveleve të larta, të qeshin.

Tani për të ardhur tek çështja, krerët e Omonias më kanë thënë të mërzitur që qeveria greke nuk pyet fare për ne si minoritar, por gjithmon synimi i saj për të fituar është Himara. Himarën e kanë ide fikse. Pra krerët e minoriteteve janë të mërzitur që i kanë lënë ata dhe po merren me shqiptarët, sepse ata në Himarë janë shqiptarë, nuk janë minoritarë.

Xhokaxhi: Si ka mundësi që arrijnë deri në kërcënime?

Ngjela: Gabimin kryesor e bëri Berisha që i shpalli minoritar. Ku ka minoritarë atje? Ajo është kryeqendra e labërisë sepse në Himarë ke labë nga Kurveleshi. Por çfarë ndodhi? Saliu u dha statusin e minoritarëve. Kur kam shkuar unë në vitet ‘70- ’80 në Himarë ka qenë vetëm një lagje që fliste greqisht, dhe një greqishte shatra-patra. Dhe kur pyeta vendalinjtë e kulturuar madje edhe një shkrimtar, më thanë që nuk dinë greqisht këta. Edhe ata që dinë, e kanë fituar nga tregëtia me Korfuzin.

Atyre nuk ua kishte dhënë asnjëherë të drejtën e minoritetit, dhe as nuk e kishin kërkuar njëherë, por ua dha Berisha. Tani çfarë po bëjnë, asgjë. Një vrimë në ujë. Por rëndësia qëndron se Himara është pikësynim grek. Pyetja që shtrohet këtu është pse? Sepse pavarësisht se Mehmet Shehu ishte diktator, një gjë kam vlerësuar nga fjalimet e tij: “Ne na iku një pjesë e rëndësishme e patiotëve të Jugut, Sulid he suliotët. Këtë e morën, po na morën edhe Kurveleshin me Himarën, humbasim një gjë shumë të rëndësishme”.

Aleksandër Çipa: Avokat më duhet të them se para vitit 1940 numëroheshin me gishta personat nga territori administrativ i Himarës që kishin shtetësi greke, me gishtat e dorës. Pastaj për kombësi, besoj nuk është e nevojshme fare që të bëjmë koment.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA